Të gjithë nxënësit e arsimit fillor do t’i kenë librat falas në duart e tyre, përpara se të fillojë shkolla në 17 Shtator. Kështu ka deklaruar Zëvendës Ministrja e Arsimit Besa Shahini e cila ka sqaruar edhe pas pretendimeve të opozitës se librat nuk janë falas por duhet të kthehen në fund të vitit.
Sipas Shahinit, kthimi i librave është praktikë në të gjitha shtetet ku librat jepen falas, si Finlanda dhe Norvegjia e nuk është një shpikje shqiptare. Kjo është një praktikë që siguron më pak shpenzime nga buxheti i shtetit duke garantuar njëkohësisht që familjet të kursejnë shpenzimet për librat.
“Në rast se librat dëmtohen apo vjetërohen librat nuk do t’i jepen në përdorim një nxënësi tjetër, duke garantuar që çdo brez të ketë në dorë libra cilësorë”, tha Shahini.
Shahini sqaroi gjithashtu edhe mbi pretendimet e opozitës së në rast dëmtimi, do të gjobiten prindërit duke pohuar se nuk ka ende një vendim përfundimtar mbi formën e masës që do të merret për dëmtimin e librave, pasi ky është viti i parë i implementimit të nismës.
“Nuk e di se si opozita arrin në këto ekzagjerime. Janë dy të tretat e klasave nga 1 në të 9 që do mbulohen me libra falas. Për ndëshkimet e mundshme në rast se libri dëmtohet nuk është vendosur ende sepse jemi në vitin e parë të implementimit.
Kthimi në fund të vitit ka efekt pozitiv në ripordorim dhe është praktikë që implementohet kudo në botë. Në këtë formë kursehet buxheti i shtetit po edhe për nxënësit është mirë të kenë idenë se do ta kthejnë për gjeneratat e tjera”, tha Zv.Ministrja.