I ndershëm. Kurajoz. Patriot. Këto janë fjalët që Qeveria e ShBA-së ka përdorur për të përshkruar magjistratin ideal shqiptar. Dhe këto janë cilësitë që ju nxis t’i ndiqni ndërsa sot filloni karrierat tuaja të reja.” Kjo ishte kërkesa e ripërsëritur e numrit 2 të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila foli sot me gjuhën e ambasadorit Lu.
I nderuar Z. Dedja, Z. Subashi, Z. Zaganjori, kolegë ambasadorë, Komisionere Jourová, z. Dekovi, të dashur magjistratë, mirëmëngjes! Faleminderit që më keni ftuar këtu sot. Është një nder që jam me ju për këtë rast të veçantë që shënon diplomimin tuaj nga Shkolla e Magjistraturës. [Tani do të vazhdoj në anglisht.]
I ndershëm. Kurajoz. Patriot. Këto janë fjalët që Qeveria e ShBA-së ka përdorur për të përshkruar magjistratin ideal shqiptar. Dhe këto janë cilësitë që ju nxis t’i ndiqni ndërsa sot filloni karrierat tuaja të reja.
Kjo ceremoni diplomimi shënon fundin e rrugëtimit tuaj akademik. Por edhe fillimin e përgjegjësive të reja për ju. Bashkëqytetarët tuaj po e vendosin besimin në ju. Po ju besojnë që të jeni të paanshëm dhe të drejtë. Dhe është përgjegjësia juaj – detyra juaj – ta nderoni besimin e tyre. Ju keni një rol kyç për ta bërë Shqipërinë më të mirë, një vend më të drejtë për të gjithë shqiptarët. Mund t’i shtoni emrat tuaj në listën e atyre që po ndërtojnë një sistem të drejtë gjyqësor përmes ndjekjes me përkushtim të ndershmërisë, guximit dhe patriotizmit. Ju mbani premtimet për të ardhmen!
Shumë prokurorë dhe gjyqtarë kanë ardhur përpara jush. Ata mbanin gjithashtu premtimin për të ardhmen. Gjithashtu mbartnin përgjegjësinë e besimit të publikut. Disa nga paraardhësit tuaj kanë shërbyer në sistemin gjyqësor me respekt dhe nderim. Por tejet shumë nga ata i kanë sjellë diskreditim sistemit. Tejet shumë kanë gërryer besimin e publikut nëpërmjet korrupsionit dhe sjelljes së tyre jo etike. Ata i lanë në baltë bashkëqytetarët e tyre dhe dështuan në përgjegjësinë e tyre ndaj sundimit të ligjit.
Lajm i mirë për ne të gjithë është se brezi i të korruptuarve do të largohet së shpejti. Ata do të jenë e shkuara. Ju jeni e ardhmja dhe mbani premtimin për një të ardhme më të mirë. Ju nxis të jeni të vendosur në luftën tuaj për një sistem gjyqësor të ankoruar në integritet, ndershmëri dhe moralitet.
Si të sapodiplomuar, ju përfaqësoni fytyrën e ndryshimit. Më lejoin të jem shumë e qartë, diçka që nuk do të ndryshojë është mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për shtetin ligjor në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër atyre që përpiqen të rrëzojnë sistemin e drejtësisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë këmbëngulëse në thirrjet tona publike për një gjyqësor etik. Shtetet e Bashkuara do të dalin kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që i përdorin pozitat e tyre për t’u pasuruar apo për të favorizuar të fortët, apo për të shmangur edhe vetë drejtësinë e tyre. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj shtetit ligjor në Shqipëri është i patundur. Është i pandryshueshëm. Dhe është i panegociueshëm.
Ne do të vazhdojnë të qëndrojnë me ata shërbëtorë publikë të ndershëm dhe të guximshëm që po ndërtojnë një të ardhme më të ndritur, më etike për gjyqësorin e Shqipërisë. Na shihni ta bëjmë këtë për çështjen Shullazi dhe na shihni ta bëjmë këtë për hetimin e Tahirit. Për sa kohë luftoni për drejtësi për të gjithë, gjatë gjithë kohës, Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë në anën tuaj.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë gjithashtu t’i nxisin drejtuesit politikë të Shqipërisë që të bëjnë pjesën e tyre për të krijuar një sistem gjyqësor më të mirë për të gjithë. Kjo kërkon që deputetët e Kuvendit të punojnë së bashku. Ata duhet të punojnë së bashku për ta ndryshuar Ligjin e Qeverisjes në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës t’i mbushë këto karrige me të diplomuarit e ardhshëm. Premtimi i sistemit të drejtësisë të së nesërmes varet nga veprimi i Parlamentit sot.
Gjithashtu do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për të ngritur SPAK-un dhe BKH-në. Këto institucione do të forcojnë kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. SPAK dhe BKH përfaqësojnë epokën e re të daljes nga e shkuara e njollosur prej korrupsionit dhe përfaqësojnë llogaridhënien e re për popullin shqiptar. Ne jemi shumë krenarë t’i mbështesim që të dyja këto institucione.
Ndërsa ju shoh, ndiej shpresën për një të ardhme më të ndritshme për Shqipërinë, për sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Shoh një të ardhme plot me të nesërme më të mira për Shqipërinë.
Edhe një herë urime. Uroj që rruga e së ardhmes tuaj të shënohet prej nderit, kurajos dhe patriotizmit. Faleminderit shumë për mundësinë!