Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë” është kthyer në një ‘makineri të vjeljes së parave’, falë diplomave të dyshimta që vijnë nga Italia dhe shpërndahen këtu për studentët shqiptarë, por edhe për ata italianë që nuk arrijnë të diplomohen në Itali.
‘Pamfleti’ e lajmëroi në shkrimin e datës 9 janar 2023 dhe në shkrimin e datës 25 janar 2023 se ky universitet, edhe pse mban emrin “katolik” nuk figuron të ketë nga statuti i tij asnjë lidhje me Kishën Katolike shqiptare, por thjesht është një universitet privat që falë disa marrëveshjeve të dyshimta prodhon të ardhura në Shqipëri.
Numri i madh i studentëve italianë në degën e mjekësisë justifikohet me faktin që studentët që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranimit në Itali, të gjejnë mënyrën të pranohen në një universitet që jep titull të vlefshëm në BE. Universitete të tilla ka edhe në vende si Rumania dhe janë kthyer në një biznes shumë fitimprurës për pronarët.
Burime për ‘Pamfleti’ bëjnë me dije se dje, më datë 26 janar 2023, u kap në flagrancë, pas kalimit të zonës së Doganës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi Jerome Ndo Mih, i biri i Benedict dhe i Angelina, i datëlindjes 28.09.1973, lindur në Kamerun dhe banues në Tiranë. Ky shtetas priste të udhëtonte nga aeroporti i Rinasit, në Romë dhe gjatë kontrollit fizik në valixhen e tij dhe në çantën e dorës, iu gjetën të fshehura në çantë dhe të paketuara e të futura në zarfe, plot 42.300 euro. Për këtë arsye, Jerom u shoqërua për në komisariatin e policisë Rinas.
Mesa duket paratë e fituara në Shqipëri nga ‘allishverishet’ e Jerome, shkojnë dhe depozitohen pjesë-pjesë në Itali me anë të ‘priftit të pafajshëm’ nga Kameruni. /Pamfleti