Një vatër zjarri ka përfshirë fabrikën më të madhe të prodhimit të vaksinave në Indi, e cila aktualisht është duke prodhuar vaksinat antiCovid të kompanisë AstraZeneca.
Flakët shkatërruan një pjesë të madhe të fabrikës dhe lanë pas 5 viktima, por zyrtarët më të lartë të saj bënë me dije se nuk do të ndikojë në prodhimin e vaksinës së shumëpritur kundër koronavirusit.
Videot dhe fotot nga vendngjarja tregojnë vatrën e madhe të zjarrit që përfshiu katet e larta të godinës së “Serum Institut” që ndodhet në Pune të Indisë.
Sipas zyrtarëve të shtetit Maharashtra, shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një shkëndije elektrike, por ndërkohë hetimet po vijojnë.
“Serum Institut” ka licencën për të zhvilluar vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca dhe gjithashtu po planifikonte të fillonte grumbullimin e deri në 50 milion doza në muaj të një kandidati vaksine të zhvilluar nga Novavax Inc.