Reali i Madridit zien nga zhvillimet, edhe pse fitoi Champions League, klubi nuk është i qetë dhe këto zhvillime negative të brendshme ndikuan në largimin e trajnerit Zinedin Zidane, i cili pak minuta më parë dha dorëheqjen.
Sikurse raportojnë mediat spanjolle, Zinedine Zidane nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit.
Tekniku francez doli në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në orën 13:00, ku konfirmoi ndërprerjen e bashkëpunimit me klubin më të titulluar në Spanjë.
Pas dy sezoneve e gjysmë në krye të “Los Blancos”, me të cilët arriti të fitonte 3 Champions League radhazi, një titull në la Liga një Superkupë të Spanjës, një Superkupë të Europës dhe 2 Botërorë Klubesh, Zidane konfirmon largimin për shkak të mosmarrveshjeve brenda ekipit.
“Kam marrë vendimin për të mos vijuar punën si trajner i Realit të Madridit. Është një moment i veçantë, por ekipi ka nevojë për ndryshime që të vijojë të fitojë. Kjo është arsye e këtij vendimi”, tha Zidane.