Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij para Këshillit Bashkiak, duke iu referuar pikërisht buxhetit të vitit 2020, tha se viti që vjen do të jetë një tjetër vit me shumë projekte në Tiranë.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në datën 3 Janar do të zhvendoset stacioni i autobusëve që të çojnë drejt jugut të vendit, tek Kthesa e Kamzës, ndërkohë që lajmëroi se do të nisë puna për ndërtimin e pjesës tjetër të Unazës së Re në zonën e Astirit.
Veliaj po ashtu foli edhe për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, ku u shpreh se ato që e ndalojnë do të kenë fatin e banorëve të Astirit.
“Sot dua ta bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin do të ketë fatin dhe përfundimin e asaj që ndodhi para pak ditësh te Astiri. Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty, duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës”, theksoi Veliaj.”– u shpreh Veliaj.