Nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të diskutohet projektligji për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjore për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ‘djegur’ nga Vetingu. Ligji për t’u miratuar kërkon 84 vota, por shumica ka vetëm 79, ndërsa Zef Brozi ish kryetari i Gjykatës së Kasacionit u bën thirrje deputetëve që ta votojnë pa zvarritje. Sipas tij, vetëm ata deputetë e politikanë të inkriminuar që kanë frikë nga reforma në drejtësi duan të mos emërohen gjyqtarë e prokurorë brezi i ri i magjistratëve.
U bej apel te gjithe deputeteve qe te miratojne pa zvarritje e paragjykime ndryshimet e nevojshme ligjore per te mundesuar emerimet e magjistrateve te diplomuar dhe pranimet e reja ne Shkollen e Magjistratures.
Vetem ata deputete e politikane te inkriminuar qe kane frike nga reforma ne drejtesi duan te mos emerohen gjyqtar e prokuror brezi i ri i magjistrateve.
Projektligji parashikon zëvendësimin në një kohë të shpejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, me qëllim për të evituar rrëshqitjen e drejtësisë drejt kolapsit të plotë. Seanca e nesërme do të jetë një provë si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën. Mazhoranca do të tentojë të sigurojë votat e domosdoshme për miratimin e projektligjit, ndërsa PD dhe LSI do të shtrëngojnë radhët, për të mos pasur rrjedhje votash. Mazhorancës i duhet që të sigurojë të paktën pesë vota në radhët e opozitës, para se ta hedhë projektligjin në votim, pasi nëse nisma rrëzohet, nuk mund të rikthehet për votim për një periudhë të gjatë kohore.