Zgjedhjet vendore do të përcaktojnë fatin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim . Gjatë drejtimit të qeverisë Rama në këto pesë vite, Lulzim Basha ka humbur dy palë zgjedhje; më 2013 në zgjedhjet e përgjithshme dhe 2015 në zgjedhjet lokale. Këto dy palë zgjedhje për demokratët ishin disfatta më të këqija në 25 vitet e fundit.
Dhe pikërisht një humbje e tretë përballë socialistëve në zgjedhjet vendore do ia vështirësonte pozitat Bashës pasi grupi i kritikëve do të kërkonte sërish largimin e tij nga drejtimi i partisë. Por nga ana tjetër të njëjtin fat si kreu demokrat ka dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Të ndodhur përballë këtyre vështirësive, Basha dhe Kryemadhi që prej daljes në opozitë kanë nisur mes tyre dhe një bashkëpunim opozitar kundër qeverisë. Bashkëpunim që i ka hapur rrugë dhe idesë së një koalicioni zgjedhor mes PD dhe LSI-së. Por edhe pse prej kohësh ka qarkulluar ideja e një koalicioni zgjedhor, ky bashkëpunim ka ngjallur edhe pakënaqësi në radhët e demokratëve.
Pas pakënaqësisë së shfaqur nga baza e PD, detaj që gazeta ”SOT” e ka bërë të ditur, dje ka dalë haptazi kundër këtij bashkëpunimi dhe deputeti Luan Baçi. I ftuar në një studio televizive, Baçi u shpreh se Partia Demokratike nuk ka nevojë për LSI pasi e bën opozitën e vetme. “LSI është bashkë-opozitë, është opozitë me PD-në. LSI një nga partitë e vogla të opozitës që mbështet PD, por mazhoranca e frikshme, i vodhën mandatet. Na duhet një opozitë frontale. Partia Demokratike e bën opozitën e vetme, i ka kapacitetet, s’luajnë rol numrat”, tha ai.
LSI lë të hapur derën e bashkëpunimit
Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj la dje të hapur mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike. Edhe pse deputeti Luan Baçi u shpreh kundër, deputeti Shezai Rrokaj gjatë një prononcimi për gazetën deklaroi se do të jenë strukturat e LSI ato që do të vendosin mbi çështjen e koalicionit. Sipas Rrokajt, çdo koalicion kërkon një program që të jetë i lidhur me problemet e vendit dhe deri më tani asnjë nga forcat nuk e ka prezantuar një gjë të tillë.
“Ne për momentin jemi në një front opozitar. Ku dalja në opozitë e LSI-së dhe dalja në opozitë e Partisë Demokratike kanë bërë që në shumicën e rasteve të rakordohen veprimet midis të dyja forcave politike në kuadrin e një fronti opozitar. Strukturat e LSI-së ende nuk kanë vendosur për koalicion. Sepse çdo koalicion kërkon një program që do të jetë i lidhur me shumë probleme. Me problemet e pushtetit vendor e kështu me radhë. Por për momentin nuk ka si të thuash një shprehje të forumeve për një koalicion mbi bazën e një programi.
Ka vetëm një bashkim në një front opozitar për të denoncuar keqqeverisjen dhe natyrisht për t’i treguar qytetarëve shqiptarë problematikën e kësaj qeverie lidhur me ekonominë, mos çeljen e negociatave, vetingun etj”, tha deputeti Shezai Rrokaj.