Zgjedhjet lokale në Turqi rezultuan një disfatë për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, sidomos në qytetet kryesore. Turqit rikonfirmuan opozitën si forcë politike dhe forcuan pozicionin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu si rivalin kryesor të presidentit në të ardhmen.
Imamoglu kryesoi në garën për kryetar bashkie në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, ndërsa Partia e tij Popullore Republikane (CHP) ruajti pushtetin në Ankara dhe fitoi nëntë poste të kryebashkiakëve në qytetet e mëdha në mbarë vendin.
“Besimi që qytetarët tanë kanë ndaj nesh, u vërtetua”, tha Imamoglu, 53 vjeç, një ish afarist që hyri në politikë në vitin 2008 dhe tani shihet nga analistët si një sfidues i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Presidenti turk pranoi humbjen. “Fatkeqësisht nuk arritëm rezultatin që donim në zgjedhje”. Kështu u shpreh Erdogan gjatë një fjalimi nga selia e partisë së tij AKP në Ankara, të transmetuar nga TV shtetëror TRT.
“Ne do të vazhdojmë rrugën tonë duke fituar”, shtoi ai, “Sot fituan 85 milionë turq, humbja duhet të jetë një pikë kthese për partinë tonë. Zgjedhjet janë momenti kyç i demokracisë, momenti kur populli tregon rrugën. I falënderoj të gjithë ata që kanë punuar shumë që qytetarët tanë ta kalojnë sot të qetë dhe rregullisht.
Në të kaluarën kemi pasur probleme në juglindje dhe përplasje, presion ndaj qytetarëve dhe kërcënime. Probleme që tani janë e kaluara, sepse sot kemi dhënë një leksion demokracie dhe e gjithë Turqia duhet të jetë krenare për këtë. Demokracia është fituesja e vërtetë sot”, tha Erdogan.
Kreu turk më pas nënvizoi se partia e tij do t’i rikthehet punës, duke theksuar se humbja duhet të jetë një pikë kthese për partinë.
“Nuk morëm rezultatin që prisnim, tani është koha të analizojmë dhe të veprojmë me guxim, në 22 vitet e fundit janë bërë 18 zgjedhje dhe pothuajse gjithmonë kemi fituar, këtë herë nuk ka shkuar kështu, por në të ardhmen çdo gjë mund të ndodhë dhe kjo humbje duhet të jetë një pikë kthese”.
Në Ankara, kryeqytetin turk, mijëra mbështetës u mblodhën gjatë natës duke valëvitur flamujt e CHP-së për të ndjekur një fjalim të kryetarit të bashkisë Mansur Yavas, i cili mundi kundërshtarin e tij të AKP-së, në një tjetër goditje për presidentin Erdogan.
Kur janë numëruar 79.77 për qind e kutive të votimit në Stamboll, qyteti më i madh i Evropës me më shumë se 16 milionë banorë, Imamoglu kishte 50.53 për qind mbështetje krahasuar me 40.73 për qind për sfiduesin e AKP-së Murat Kurum, një ish ministër në qeverinë e presidentit Erdogan.