“Konrad Adenauer” një institucion prestigjioz ndërkombëtar, i cili është asistuesi kryesor i Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, prej gati pesë muajsh ka zhvilluar një sondazh.
Sondazhi është bërë për llogari të Partisë Demokratike dhe ka përfshirë shumë fusha të jetës shoqërore, sociale dhe politike.
Një pyetësor i cili ka pasur për qëllim që në fund të lexohej dhe të kuptohej se cila ishte situata dhe si perceptohej situata politike e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Lulzim Basha dhe si po perceptoheshin lëvizjet nga opinioni publik.
Në fakt, prej disa ditësh sondazhi ndodhet mbi tavolinën e Bashës dhe mbahet totalisht në mënyrë konfidenciale.
Kjo për disa arsye:
Së pari ka disa të dhëna thuajse “të frikshme”, pasi PD duket se është në rënie dhe Lulzim Basha ka diferencë 5 apo 6 pikë më pak se perceptimi publik për Partinë Demokratike.
Sondazhi ka pasur pika në lidhje me aksionin politik të PD –së, koalicionin me Monika Kryemadhin dhe LSI –në, vetë rizgjedhjen e Bashës, hapat e mëtejshëm, bashkimin e PD –së etj.
Prej muajit nëntor ky sondazh është zhvilluar në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, duke nxjerrë një produkt, i cili e ka trembur së shumti Lulzim Bashën, ndaj ka urdhëruar që ajo të mbahet konfidenciale.
Një drejtues shqiptar i një OJQ –je, përfaqësuesi gjerman dhe Lulzim Basha janë të vetmit persona që kanë këtë sondazh në duar.
Ai ka të dhëna, ku thuhet se Partia Demokratike ka një perceptim mjaft të ulët në opinionin publik që shkon mesatarisht tek 23 -25 përqind.
Lulzim Basha, kryetari i PD –së, është poshtë 20 përqind si pëlqyeshmëri. Pra, ka 5 deri në 7 pikë më pak se sa Partia Demokratike në pëlqime.
Ajo që bie në sy është fakti, se lideri historik i PD, Sali Berisha, është mbi 30 përqind pra rreth, 5-6 pikë më tepër se sa pëlqimi që ka Partia Demokratike dhe me një diferencë prej gati 12 apo 14 pikë në lidhje me Lulzim Bashën.
Sondazhi gjithashtu ka një mënyrë të fortë refuzuese nga opinioni publik në lidhje me koalicionin e PD–së me LSI–në, çka ka bërë që PD–ja, në këto muaj të humbë edhe më shumë elektorat, duke mos përfituar asgjë nga koalicioni me LSI–në e Kryemadhit.
Sondazhi ka edhe të dhëna të tjera, të cilat lidhen me aksionin e opozitës, kryesisht të Partisë Demokratike edhe lëvizjet e Lulzim Bashës.
Të gjitha parametrat e këtij sondazhi dhe një analizë e plotë e opinionit publik, bërë nga fondacioni “Konrad Adenauer”, në fund kanë rezultuar katastrofike për Lulzim Bashën.
Analiza e specialistëve të institucionit gjerman, në fund thotë se çdo veprim i bërë duket që nuk ka sjellë asnjë ngritje, asnjë perceptim në rritje apo pozitiv për Lulzim Bashën dhe PD–në.
Gjithçka ka shkuar për poshtë. Në të gjitha parametrat e këtij sondazhi duket se Lulzim Basha është i dështuar dhe Partia Demokratike nuk po njeh rritje.
Për më tepër në zona të caktuara ka instanjacion, por ka edhe rënie të vazhdueshme, e cila nuk po ndalet.
Ky sondazh, të dhënat të cilat i ka siguruar CNA.al, nga burime zyrtare pranë Lulzim Bashës, po mbahet kofident, duke tentuar që në një tjetër mënyrë t’i shitet opinionit publik.
Pra, pas Kuvendit është dashur që të ketë një reklamim pozitiv në lidhje me Lulzim Bashën dhe perceptimin e PD –së, por në fakt mesa duket gjermanët nuk kanë pranuar që të abuzohet me të dhënat dhe analizën e tyre, duke e ndalur Lulzim Bashën, i cili tashmë e ka fshehur dhe po përpiqet ta mbajë tepër sekret këtë sondazh të zhvilluar nga ana e tij dhe Partisë Demokratike, pikërisht për këtë, ku vetë rezultatet thonë se Basha është njeriu që po e dëmton dhe më tej Partinë Demokratike.