Të tjera detaje tragjike dalin në dritë nga krimi i dyfishtë, që tronditi mbrëmjen e kaluar Tiranën, ku 26-vjeçari nga Dibra, Kliton Pira, vrau me thikë të dashurën e tij ganeze, me pasaportë franceze, 31-vjeçaren Jawsackie Jaboah, dhe më pas u hodh nga kati i tetë i pallatit.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se Kliton Pira ishte njohur në internet me 31-vjeçaren ganeze. Ai jetonte prej vitesh në Tiranë, në zonën e Laprakës, ndërsa për disa vite kishte jetuar si emigrant i paligjshëm në Angli.
Gazetarja Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë xhelozia. Pira ishte konfliktuar me 31-vjeçaren online dhe ajo kishte mbërritur të shtunën në Tiranë për t’u sqaruar.