Mbledhja e Këshillit Politik sot nuk prodhoi konsensus mes shumicës dhe opozitës për debatin lidhur me faktin se si vullneti i shqiptarëve do të përkthehet në mandate parlamentare, por edhe koalicionet.
PS i qëndron draftit që ka paraqitur, ndërsa PD-ja ka vendosur që të mos paraqesë asnjë draft, por të kërkojë asistencën e ODIHR-it, gjë që kundërshtohet nga socialistët që e shikojnë si lëvizje për të zvarritur procesin.
Përballë kësaj situate dhe faktit që Edi Rama nuk tërhiqet, opozita e bashkuar po bën gati një plan B.
Sot Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët. Një burim nga brenda mbledhjes i tha Abcnews.al se opozita e bashkuar nuk do të heqë dorë nga insistimi për të kërkuar angazhimin e ndërkombëtarëve dhe se nuk do të paraqesë asnjë draft në Këshillin Politik për listat dhe koalicionet.
Por çfarë do të ndodhë nëse Edi Rama nuk pranon?
I njëjti burim nga mbledhja thotë se nëse do të prishet marrëveshja e 5 Qershorit në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, “keq do të shkojë për atë, se opozita do ta gjejë një mundësi. Ne i kemi gati variantet tona. Nëse vazhdon aventura do të ketë pasoja të rënda”.