Një ekip eksploratorësh italian të shpellave kanë realizuar eksplorimin e një shpelle e cila ndodhet në Tabash në rrethin e Gramshit në Shqipërinë Qendrore bën me dije riminitoday.it.
“Ka përfunduar misioni i pestë i eksplorimit të shpellave në Shqipëri. Ky mision ishte planifikuar të realizohej nga data 1 deri në 8 prill”, thonë ata duke përshkruar të mrekulluar atë që kishin parë me sytë e tyre.
Gryka e zbuluar rreth një vit më parë nga ky grup, u eksplorua në një pjesë të saj, në -420 metra nën nivelin e detit. Në këtë thellësi u gjetën mjedise shumë të mëdha dhe të ngurtësuara. Eksploratorët u shprehën se janë treguar të kujdesshëm që të mos dëmtojnë grykën e kësaj shpelle.
Në mënyrë që të mos lihen gjurmë në disa vende, speleologët kanë vazhduar punën e tyre zbathur, madje duke hequr edhe kostumet e tyre, një mesazh i madh ky, për të mos ndotur këto mjedise të pashkelura ndonjëherë.
Ky ekip italian ka vizituar disa galeri të tilla në territorin shqiptar. Ata thonë se kanë shumë të tjera për të eksploruar. Thellësia e kësaj shpelle është rreth 2 km. Formacionet e shquara të gipsit të bardhë që gjenden në dhomat e fundit të saj tregojnë se shpella është e formimit hipogjenik, që formohet nga ngritja e ujit sulfurik i cili është i pranishëm në kanionin që ndodhet aty afër. Nuk është hera e parë që ekspertë të huaj vlerësojnë skutat e panjohura ende të paeksploruara në Shqipëri./abcnews.al