Seksioni për hetimin e krimit ekonomik në Policinë e Tiranës njoftoi se ka goditur veprimtarinë në fushën e mashtrimit kompjuterik gjatë një aksioni të ndërmarrë në një “Call Center” të vendosur në një ambient me qira te zona e Pazarit të Ri.
Në prangat e policisë kanë përfunduar dy të rinj, përkatësisht administratori me inicialet S.N, 24 vjeç dhe operatorja R.S., 25 vjeç. Policia thotë se dy personat janë arrestuar në flagrancë ndërsa në kërkim është shpallur pronari i subjektit me inicialet B.H., 36 vjeç banues në Tiranë.
Policia njofton gjithashtu se ka sekuestruar 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se kanë rënë pre e mashtrimit për të investuar në bursa fiktive Forex.
Operacionin e policisë e ka konfirmuar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj. Përmes një reagimi ai thotë se është pronari i kompanisë “We Web Developers”, që siç thotë punëson rreth 200 të rinj. Pa dhënë më shumë detaje për punën e kompanisë, deputeti i PD-së akuzon se po i sulmohen politikisht bizneset.
“Kjo është kompania ime “We Web Developers” ku rreth 200 të rinj punojnë në fushën digjitale dhe të programimit. Rama dërgoi policinë në ambjentet me qera të kompanisë dhe ka nxjerrë jashtë me forcë punonjësit, dhe ka bllokuar aksesin. Policia nuk ka dorëzuar asnjë dokument apo akt në lidhje me bllokimin në shkelje flagrante të ligjit. Kërkesave zyrtare për t’u njohur me arsyet e bllokimit, gjithashtu nuk iu janë përgjigjur”, shkruan Shehaj.