Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta duket se kanë varur shpresat tek Richard Grenell dhe rikthimi i Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë për t’i shpëtuar ofensivës amerikane.
Pak ditë më parë gazeta e bëri të ditur se dyshja Berisha-Meta po lëvizin të gjithë gurët në mënyrë që të mos jenë në shënjestrën e amerikanëve, ndërkohë që ditën e djeshme është hedhur një tjetër hap i fortë në këtë drejtim.
Më konkretisht sh-kryeministri Berisha po lufton me mish e me shpirt që të heqë “non gratën”, ndërsa presidenti Meta po bën çmos që të bllokojë një shpallje person i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në të ardhmen.
Mësohet se në lojë kreu i shtetit dhe ish-lideri demokrat kanë futur ish-ambasadorin amerikan në Gjermani dhe të dërguarin e administratës amerikane në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, diplomatin Richard Grenell për të fituar simpatinë e ish-presidentit Donald Trump.
Ky i fundit lakohet se mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA dhe sondazhet e nxjerrin si fitues. Kështu që binomi Meta dhe Berisha kanë varur shpresat pikërisht tek zoti Grenell, që në rast se Trump rizgjidhet president, ata të mos kenë telashe nga amerikanët.
Meta takon Grenell
Por sinjale se Meta dhe Berisha kanë varur shpresat tek diplomati Grennell kanë ardhur edhe dje, teksa Presidenti i Shqipërisë është takuar me ish-të dërguarin special të SHBA-së për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Lajmin e ka zbuluar dje në rrjetet sociale edhe vetë zoti Meta, i cili shkruan se është kënaqësi ta ketë ish-ambasadorin Grenell në Shqipëri dhe në zyrën e tij. “Është gjithmonë kënaqësi të kemi Richard Grenell në Shqipëri dhe në zyrën time.
Angazhimi i tij në mbështetje të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara vlerësohet shumë”, shkruan Meta. Sidoqoftë, një tjetër fakt që tregon se Grenell po përdoret nga Meta dhe Berisha për t’u mbrojtur, e tregon edhe fakti që ish i dërguari i presidentit Trump ka dhënë një intervistë për Radion e Qendrës Amerikane për Ligj dhe Drejtësi ndërsa ndodhet në Shqipëri.
Zoti Grenell merr në mbrojtje Berishën, ndërsa shprehet se DASH e ka shpallur “non grata” pa prova. “Mendoj se ky është një skandal i madh sepse sekretari ynë i shtetit, Antony Blinken, ka tërhequr levat e pushtetit në Departamentin e Shtetit për t’i ndaluar ish-presidentit, liderit të partisë shqiptare, një parti konservatore, zotit Berisha. Atij i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara.
Tani, mund ta them këtë pa mëdyshje, nuk kam parë asnjë provë që tregon se atij duhet t’i ndalohet udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, që është një sanksion shumë i madh dhe nëse ky informacion ekziston, nëse është i ri, atëherë Sekretari i Shtetit duhet t’i përgjigjet kongresmenit Lee Zeldin nga kërkesa e Nju Jorkut për të parë informacionin”, deklaroi Grenell.
Grenell asnjë rol në strukturat amerikane
Megjithatë, pavarësisht takimit të djeshëm dhe ftuje në lojë të tij, duhet theksuar fakti se ish-ambasadori Richard Grenell nuk ka asnjë rol në strukturat amerikane. Kjo do të thotë se përpjekjet e Metës dhe Berishës për ta futur atë mik që të mos jenë në syrin e ciklonit të amerikaneve pritet të jetë flluskë sapuni.
Madje, fakti se ai është i zhveshur nga postet e ka pohuar edhe këtë verë vetë diplomati Grenell, i cili teksa ndodhej në Shqipëri, theksoi se pas largimit të Donald Trump nga presidenti është pa asnjë angazhim dhe se është person privat. Por ajo që e vesh edhe më shumë me mister këtë afrimitet të dyshes Berisha-Meta me ish-diplomatin Grenell është edhe fakti se ky i fundit është përfolur se ka qenë pro ndryshmit të kufijve dhe akuzohet se është njeri i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Pra fakti që Berishës pretendon se u shpall “non grata” pikërisht se doli hapur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, tregon se kemi dy standarde prej tij./SOT