Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkisë për t’i shpallur të pavlefshme.
Në vendimin e bërë tashmë publik, gjykata duket se ecën në një linjë me Komisionin e Venecias, ku shprehet se Kushtetuta nuk i jep asaj të drejtë që të shqyrtojë ligjshmërinë e zgjedhjeve. Aty theksohet se Kushtetuesja mund të shqyrtojë raste individuale për kryebashkiakë të caktuar, por jo një proces të plotë zgjedhor.
Me këtë vendim Kushtetuesja e kalon topin te presidenti, i cili duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme në 6 bashki pa kryetarë. “Gjykata vlerëson se kushtetutbërësi nuk ka pasur qëllim t`ì japë asaj kompetencën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në tërësinë e tij, ndaj dhe modalitetet e këtij procesi, si subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën, afatet, procedurat dhe lloji i vendimmarrjes për këtë lloj kontrolli, nuk gjenden as në ligjin organik, as në Kodin Zgjedhor.
Sipas nenit 124, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata i nënshtrohet vetëm kësaj të fundit dhe përderisa një kompetencë e tillë nuk është parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, nuk mund të ushtrohet prej saj. Gjykata rithekson se kompetencat e saj nuk mund të ndryshohen, të ngushtohen ose të zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues”, theksohet në vendimin e gjykatës.
Gjykata ka marrë si shembull ligjin e dekriminalizimit, ku tregon se me ndryshimet që janë bërë i jep të drejtë të shqyrtojë ankesat e personave që preken nga ky ligj, por në këtë aspekt nuk legjitimohet. “Gjykata vëren se sipas nenit 108, pikat 1 dhe 3, të Kushtetutës njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet, të cilat kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, ndërkohë që sipas nenit 109, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës organet përfaqësuese të tyre janë këshillat dhe organi ekzekutiv është kryetari.
Pra, organet e qeverisjes vendore janë organe të parashikuara nga Kushtetuta dhe kompetencat e tyre burojnë nga kjo e fundit. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se edhe për sa u takon funksionarëve të zgjedhur vendorë, në juridiksionin e saj, sipas shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, përfshihen çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre, pra të anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe kryetarit të bashkisë, si funksionarë publikë”, thuhet në vendim.
Përplasjet mes institucioneve
Gjykata është ndalur dhe te debati mbi përplasjen mes qeverisë dhe presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve. Ajo shprehet se sa i takon kësaj pjese nuk ka marrë vendim pasi pala që ka bërë padinë nuk ka bërë asnjë kërkesë për të dhënë një verdikt nëse presidenti ka apo jo të drejtë të shtyjë zgjedhjet.
“Megjithatë, nisur nga sa u konstatua nga rrethanat e kësaj çështjeje dhe pretendimet e palëve, Gjykata vëren se përgjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në qershor të vitit 2019, ka pasur mosmarrëveshje midis subjekteve që kanë kompetenca në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe zhvillimin e këtij procesi, të cilat kanë interpretuar në mënyra të ndryshme parashikimet kushtetuese ku janë mbështetur për ushtrimin e kompetencave të tyre, gjë që, siç ka evidentuar misioni vëzhgues i ODHIR-it, “krijoi një klimë ngërçi dhe polarizimi politik dhe votuesit nuk patën një mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes disa opsioneve politike” (shih faqen 1 të Raportit).
Gjithsesi, asnjë prej subjekteve që legjitimohet të vërë në lëvizje këtë Gjykatë, nuk i është drejtuar me kërkesë për zgjidhjen e konflikteve me natyrë kushtetuese që bëjnë pjesë në juridiksionin e saj (shih paragrafin nr. 33 të këtij vendimi)”, thekson vendimi i gjykatës.
Sonila Bejta krah presidentit
Ajo që bie në sy është se 6 anëtarë të Kushtetueses kanë qenë në një linjë me vendimin se gjykata nuk legjitimohet, ndërsa anëtarja Sonila Bejtja ka dalë me mendim paralel duke pasur argumente të ndryshme.
Sipas saj Gjykata Kushtetuese nuk duhet të kishte shqyrtuar pretendimin e kërkueses nën dritën e interpretimit të ngushtë të nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksionit të të zgjedhurve vendorë.
Por ajo që bie në sy është se Bejtja rreshtohet hapur krah presidentit, duke përmendur në argumentet e saj bojkotin e Kuvendit nga opozita, djegien e mandateve dhe protesta, ndërkohë që godet Kolegjin Zgjedhor. “(10) Presidenti i Republikës pas disa tentativave për konsultime të përbashkëta me forcat politike, të cilat nuk arritën të krijonin amalgamën pozitive të duhur, me dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019, caktoi datën 13 tetor 2019, si datë zyrtare për zhvillimin e zgjedhjeve lokale; (11) ky dekret i Presidentit të Republikës nuk u botua kurrë në Fletoren Zyrtare dhe as nuk u ankimua nga asnjë prej subjekteve zgjedhore përpara asnjë organi gjyqësor; (12) pas këtij dekreti të Presidentit të Republikës, vetëm disa parti opozitare u regjistruan në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, kurse disa të tjera nuk u regjistruan; (13) KQZ-ja bëri objekt shqyrtimi në kërkesën për çregjistrim të një partie politike (Partia Uniteti Kombëtar), edhe dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës, kur ndërkohë ky akt nuk ishte objekt kërkimi e për më tepër, që Presidenti i Republikës nuk ishte palë në këtë gjykim; (14) Kolegji Zgjedhor e thelloi më tej krizën e krijuar duke gjykuar dhe më pas duke vendosur mbi një objekt që nuk ishte kërkim në gjykim, siç ishte dekreti i Presidentit të Republikës”, shprehet ajo në argumentet e saj.
Ja disa nga pikat në vendimin e Kushtetueses
-Gjykata vëren se sipas nenit 108, pikat 1 dhe 3, të Kushtetutës njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet, të cilat kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, ndërkohë që sipas nenit 109, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës organet përfaqësuese të tyre janë këshillat dhe organi ekzekutiv është kryetari. Pra, organet e qeverisjes vendore janë organe të parashikuara nga Kushtetuta dhe kompetencat e tyre burojnë nga kjo e fundit.
Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se edhe për sa u takon funksionarëve të zgjedhur vendorë, në juridiksionin e saj, sipas shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, përfshihen çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre, pra të anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe kryetarit të bashkisë, si funksionarë publikë.
-Në vijim të këtij arsyetimi, Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi, duke mos e parashikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kompetencën për verifikimin e kushtetutshmërisë së procesit zgjedhor, ka pasur si qëllim të mos përfshijë në juridiksionin kushtetues kontrollin e procedurave zgjedhore në tërësinë e tyre.
Për këtë arsye, në kontekstin e çështjes konkrete në shqyrtim, togfjalëshi “verifikimin e zgjedhjes së tyre” në përmbajtjen e nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës duhet të interpretohet në kuptimin që ai ka të bëjë me verifikimin e respektimit të së drejtës individuale për t`u zgjedhur të funksionarit të organit kushtetues gjatë procesit zgjedhor.
-Në analizë të përmbajtjes së dispozitave kushtetuese që lidhen me kompetencën e Gjykatës, nga njëra anë, dhe atyre që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, nga ana tjetër, vlerësohet se kompetenca e Gjykatës nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore (shih paragrafin 28 të Opinionit CDL-AD(2021)026).
Legjislacioni i miratuar nga Kuvendi, si Kodi Zgjedhor, ashtu dhe ligji për Gjykatën, tregon një kuptim dhe interpretim të përbashkët që Gjykata nuk duhet të jetë një arbitër i përgjithshëm i ankimeve zgjedhore. Këto ligje janë prova e një historie legjislative dhe interpretuese që duhet të merret në konsideratë.
Për këtë arsye, shprehja “verifikimin e zgjedhjes së tyre” duhet të interpretohet ngushtësisht, duke mbuluar çështjen e së drejtës për t’u zgjedhur, por jo të gjitha procedurat zgjedhore (shih paragrafin 25 të Opinionit CDL-AD(2021)026).
-Kodi Zgjedhor i miratuar me ligjin nr. 9087, datë 19.06.2003, i cili shfuqizoi ligjin nr. 8609, datë 08.05.2000 të ndryshuar, përcaktoi Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë si organin kompetent për shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimeve të KQZ-së.
Megjithatë, dispozita kushtetuese, shkronja “e” e pikës 1 të nenit 131, mbeti e pandryshuar dhe përmbajtja e saj nuk rezulton të ketë gjetur pasqyrim ose zbërthim as në dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i miratuar me ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008.
Në nenin 124 të këtij kodi parashikohet e drejta e ankimit administrativ të çdo partie politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni, dhe kandidati të propozuar nga zgjedhësit kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm. Sipas nenit 143, pika 1, shkronja “ç”, të tij, në përfundim të shqyrtimit të ankimit KQZ-ja vendos, sipas rastit, shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme në një ose disa qendra votimi të zonës zgjedhore ose në të gjithë njësinë zgjedhore.
Kurse sipas nenit 145 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore, si dhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor, kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm.
-Edhe Komisioni i Venecias është shprehur se ankimet zgjedhore kundër vendimeve të KQZ-së, ose mungesës së vendimmarrjes, shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor, i cili ka kompetencën për të kontrolluar ligjshmërinë e tyre dhe vihet në lëvizje me kërkesë të subjekteve që legjitimohen, çka do të thotë se në këto raste legjislacioni ka parashikuar mjete ligjore në dispozicion (shih paragrafin 23 të Opinionit CDL-AD(2021)026).
-Në përfundim, Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi nuk ka pasur qëllim t`ì japë asaj kompetencën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në tërësinë e tij, ndaj dhe modalitetet e këtij procesi, si subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën, afatet, procedurat dhe lloji i vendimmarrjes për këtë lloj kontrolli, nuk gjenden as në ligjin organik, as në Kodin Zgjedhor.
Sipas nenit 124, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata i nënshtrohet vetëm kësaj të fundit dhe përderisa një kompetencë e tillë nuk është parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, nuk mund të ushtrohet prej saj. Gjykata rithekson se kompetencat e saj nuk mund të ndryshohen, të ngushtohen ose të zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues (shih vendimet nr. 212, datë 29.10.2002; nr. 34, datë 24.09.1996 të Gjykatës Kushtetuese).