Sali Berisha është cilësuar si një bandit i cili ka uzurpuar Partinë Demokratike, nga gazetari dhe publicisti Ilir Demalia. Gjatë një interviste televizive, ai tha se në Shqipëri janë prezente tre banda ajo e Berishës, e Ramës. Ai tha, se pritet që edhe Meta të bëhet bashkë me bandën e Berishës kundër Ramës.
“30 vjet që jemi në këtë gjendje nuk na i ka ngatërruar njeri punët. I kemi ngatërruar vetë sepse ne zgjedhim banditët. Iu shkojmë mbrapa banditëve për të përfituar nga llokma e banditëve. Kjo është historia politike. Tani presin që të dalë dhe Meta nga presidenti dhe të bëhen dy banda bashkë për të mundur bandën e Edi Ramës. Dhe SPAK banda e tretë.
Tani po lexoja në lajme për një tender që është dhënë pa konkurrencë, por pa konkurrencë është dhënë Shqipëria, prandaj bëjnë kështu këta sot se kanë pare të madhe, kanë hapur dhe media dhe portale. Paguajnë dhe analist, paguajnë dhe intelektual të shquar dhe të pashquar”, tha ai. Përsa i përket zgjidhjes së kësaj situate dhe shkërmoqjes së këtyre të ashtuquajturave banda nga ana e tij, ai tha se kjo nuk është një gjë e cila mund të ndodhë brenda disa viteve.
Përsa i përket influencës së SPAK, Demaliaj, e kategorizoi atë si prodhim të bandave politike.“Kjo nuk është rrugë që zgjidhet me çelësin e artë, as që zgjidhet brenda ditës, brenda viteve, as brenda 30 viteve se kështu ka ndodhur. Absolutisht që SPAK nuk mund ta shkërmoq këtë strukturë, nuk kam asnjë lojë besimi sepse SPAK është prodhim i këtyre bandave politike”, tha ai.
Ngjela: Berisha otomani i fundit në Shqipëri
Ndërkohë, avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar ish-kryeministrin Sali Berisha si otomanin e fundit në Shqipëri. Ai deklaroi se Berishën e kanë braktisur edhe ata që kanë mbështetur. Avokati vijoi më tej duke thënë se ish-kryeministri Sali Berisha tani nuk ka parti ligjore, pasi Partinë Demokratike të njohur nga ligji e drejton stafi i saj ligjor.“Sali Berisha otomani i fundit në Shqipëri.
Frika e budallalleps njeriun me kapacitet mediokër, por e bën delirant heroin budalla. Ja të dy rastet e Shqipërisë: ata janë Haxhi Qamili dhe Sali Berisha. Kur Saliut i thanë se nuk të pranon Amerika, tha: “Ku pyes unë për Amerikën, kur e kam Tropojën dhe Kavajën me vete”. Por, dje e la edhe Tropoja edhe Kavaja, se nuk dolën në votime për ta votuar.
Kudo po kështu, në të gjithë Shqipërinë. Vobegtësi mendore pamë nga përkrahësit e Saliut, dhe heshtje politike. Kurse stafi i çoroditur dhe i trembur i Saliut gënjeu sikurse edhe në vitin 1996, kur, po këta, mbushën kutitë e votimeve politike të atij viti. Jam kryetari i Partisë Demokratike thotë Saliu, domethënë Haxhiu, dhe tani do mund Amerikën. Por të gjithë njerëzit me mend në kokë qeshin jo me Haxhi Qamilin, por me Sali Berishën, i cili tani nuk ka parti ligjore. Se Partinë Demokratike, të njohur nga ligji, e drejton stafi i saj ligjor, që as pyeti fare për votimin e Saliut”, tha ai.
Berisha rizgjidhet kryetar, në rrezik fati i partisë
Por me ardhjen në krye të demokratëve, Sali Berisha ka vënë në rrezik edhe fatin e Partisë Demokratike. Kjo sepse Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ia ka bërë të qartë se SHBA do të ndërpresë marrëdhëniet me PD, nëse kryesimin e saj do e merrte ish-kryeministri Sali Berisha. Përtej këtij paralajmërimi, Berisha nuk u ndal duke e sfiduar hapur SHBA-në që e futi në listën e zezë.
“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, ka deklaruar ajo më herë.