Zbardhet pasuria e kryebashkiakëve të PD dhe LSI. Një ditë më parë gazeta bëri publike të gjithë pasurinë e kryebashkiakëve socialist, ndërsa sot po publikon ato të demokratëve dhe të LSI. Ashtu si dhe politikanët edhe kryebashkiakët zotërojnë pasuri të shumta. Sipas të dhënave të “Open Data”, vetëm në deklaratën e vitit 2017, kryebashkiakët e PD dhe LSI, ashtu si ata të PS, kanë deklaruar se zotërojnë pasuri të shumta si dhe se kanë fituar miliona lekë nga biznese të ndryshme apo nga shitjet e automjeteve.
Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka deklaruar në deklaratën e pasurisë të 2017, 1.348.328 lekë të ardhura neto nga paga si kryetar Bashkie. Por krahas kësaj, Mziu ka deklaruar gjithashtu se ka shitur dhe dy automjete. Një të tipit Tuareg me vlerë 425.440 lekë që e ka blerë në vitin 2010 dhe që më pas e ka shitur për pjesë këmbimi në shumën 26.400 lekë. Dhe një të tipit Peugeot 308 që e ka pasur bashkëshortja, me vlerë 12.000 euro. Mziu ka deklaruar gjithashtu se ka fituar dhe 500.000 lekë si dëmshpërblim për sigurimin shëndetësor nga shoqëria Eurosig.
Por në ndryshim nga Xhelal Mziu, shifra marramendëse fitimi ka deklaruar kryebashkiaku i Vorës, Fiqir Islami. Ai ka deklaruar se gjatë 2017 ka fituar 1.590.976 lekë, si rezultat i dhënies me qira të dyqaneve dhe shtëpisë. Fiqir Islami ka deklaruar gjithashtu: të ardhura me vlerë 56.929.8 euro nga shitja e pronës tip garazh; të ardhura me vlerë 26.850 euro nga shitja e pronës tip apartament; dhe të ardhura me vlerë 6.024.653 lekë nga shitja e pasurisë tip truall.
Sakaq, ai ka deklaruar të ardhura të shumta edhe nga prestarët e tjerë të familjes. Ndërsa kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli ka deklaruar: gjendje depozite me vlerë 290.776 lekë pranë Raiffeisen Bank, ngelur nga pagat dhe shpërblimet; gjendje depozite me vlerë 95.897 lekë pranë Tirana Bank, ngelur nga pagat dhe shpërblimet; gjendje depozite pranë Alpha Bank, 7.574 lekë; si dhe gjendje cash, 140.000 lekë.
Por nga ana tjetër, kryebashkiaku tjetër demokrat, Nezir Rizvani i Bashkisë Mat, ka deklaruar si të ardhura vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes.