Një atentat i organizuar ndaj bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, është mbyllur me një të vrarë dhe dy të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Objektivi i këtij atentati, që, sipas Policisë, ishte 36- vjeçari Martinaj, ka mbetur i plagosur nga një plumb që e ka goditur në qafë.
Ndërsa bodigardi i tij, Rigers Gaxha, i cili i ka dalë para në momentin që ka parë atentatorin, ka mbetur i vrarë pasi është goditur në kokë dhe në trup me pistoletë.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur rëndë edhe miku i Ervis Martinajt, shtetasi Lerat Hasa, i cili, sipas mjekëve të Spitalit të Traumës, ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi ka plagë të rënda në organet e brendshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:50, në ambientet e një lokali në pronësi të biznesmenit Redi Popesku, në zonën e ishBllokut.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por ndërkohë atentatori kishte arritur të largohej.
Policia dyshon se ai mund të jetë larguar me motor, me ndihmën e ndonjë personi tjetër, pasi në kohën kur ndodhi ngjarja, rruga ka qenë thuajse tërësisht e bllokuar nga trafiku.
Forca të shumta policie rrethuan për orë të tëra vendin e ngjarjes, ndërsa të tjerë sekuestruan serverët e kamerave të sigurisë pothuajse në të gjitha bizneset rreth vendit të ngjarjes.
Burime zyrtare nga Spitali i Traumës thanë se i plagosuri i parë, që ka mbërritur aty, ka qenë shtetasi Ervis Martinaj, i cili ka marrë një plagë në qafë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes që i është bërë.
Megjithatë, për një ndërhyrjeje më të specializuar, ai është transportuar në një spital privat mesnatën e djeshme.
Nga ana tjetër, mjekët thonë se paraqitet mjaft kritike gjendja për të plagosurin tjetër, Leart Hasa. Ai është dërguar aty me ambulancë afro 40 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja.
Të njëjtat burime thanë se Hasa ka plagë të shumta arme zjarri në bark, stomak, zorrë, mëlçi, madje edhe në gojë.
Deri në orët e vona pas mesnate ai ka qenë duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës dhe mjekët thanë se po bëhet e pamundura për ta mbajtur në jetë, megjithëse gjendja e tij është shumë kritike.
Përveç plagëve të shumta në trup, pasi plumbat i kanë dëmtuar edhe disa organe jetësore, i plagosuri ka humbur edhe shumë gjak.