Teza e provimit në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është pjesërisht e kopjuar nga teste standarde të gjuhës angleze. Kështu maturantët durrsakë, të cilët ngritën pretendimin që teza e provimit të Maturës Shtetërore në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nuk ishte shqip, rezultojnë të kenë pasur të drejtë.
Teza e provimit të Maturës Shtetërore në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është në fakt përkthim i një teze të Cambridge English- Preliminary English Test for Schools. Hartuesit e tezës në Qendrën e Shërbimeve Arsimore kanë ndryshuar vetëm emrin e personazhit kryesor nga “Dan” në “Turi”, teksa e kanë përkthyer.
Dy ditë më parë, maturantët e qytetit të Durrësit kishin këmbëngulur me forcë që teza nuk ishte shqip. “Provimi nuk tingëllon shqip,”- shpreheshin ata për Argument24.
Një prej maturantëve, Ami, madje kish shpjeguar saktë se përse mendonte që teza nuk ishte shqip e se, për rrjedhojë, ministrja Besa Shahini duhet të kishte më pak besim tek hartuesit e tezës e më shumë tek maturantët.
Ami kishte rimarrë paragrafin e “Turit” të famshëm, duke pikasur dy fjalë që në tezën e provimit janë bashkë, por që në gjuhën shqipe kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe ky togfjalësh ishte “papritur, ai vështroi”.
Maturantja tregonte me zell që fjalia nuk ishte shqip, pasi kishte dy fjalë që në shqip nuk rrinin bashkë “papritur” dhe “vështroi”, dhe që kishte dy përgjigje që mund të ishin të sakta po të merrej si pikënisje secila prej fjalëve veçmas, por kurrsesi të dyja bashkë, pasi ishin gabim.
Përgjigja e saktë e provimit dhe dalja e origjinës së testit nga ku ish kopjuar “Turi” vërtetoi të dy tezat e Amit: përgjigja e saktë e pyetjes së Turit ishte ajo që kish parashikuar Ami, e lidhur me ndajfoljen “papritur” dhe teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nuk paskërka qenë shqip.