100 mijë euro është shuma që Albert Veliu dhe një 45-vjeçar nga Novosela e Vlorës kanë përfituar për të krijuar audio-përgjimin e rremë për vëllain e ministrit të Brendshëm. Sipas burimeve të “Shqiptarja.com” kjo shifër ka dalë nga dëshmia e dëshmitarit të vetëofruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i cili ka marrë përsipër autorësinë e videos, duke pohuar se personi që ka bërë rolin e Agron allias Geron Xhafaj, është pikërisht ai vetë.
Nga ana e tij banori i Novoselës ka thënë para grupit hetimor se këtë shifër ja ka përmendur ‘’Babalja’’ në mënyrë që ai të bënte rolin e trafikantit në këtë audio-përgjim, atë të Agron Xhafaj.
45-vjeçari ka ka këmbëngulur se e gjithë sasia e eurove duhet të jetë marrë nga Albert Veliu. Po ashtu mësohet se dëshmia dëshmia e banorit të Novoselës, gjen përputhje edhe me disa biseda të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ai dhe Babalja diskutojnë me njëri-tjetrin për ndarjen e fitimit, menjëherë sapo kanë parë që audio-përgjimi është botuar publikisht nga Partia Demokratike, në të gjitha mediat e vendit.
Vlonjati i thoshte Babales se duhet t’i jepte paratë e premtuar, ose në të kundërt do të shkonte te Partia Socialiste dhe do tregonte të gjithë të vërtetën, rreth asaj që kishin kurdisur së bashku me qëllim përfitimin monetar.
Gati arrestimet e ndjekja penale për mashtrim
Të gjitha këto prova tashmë janë në dosjen e prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe se pritet që në ditët në vijim të ketë surpriza rreth kësaj dosje, pasi anëtarët e grupit hetimor janë duke analizuar çështjen dhe pse jo, mund të ketë dhe urdhër-arreste për persona, që pritet të ndiqen penalisht për akuzën e “Krijimit të provave të reme”.
SAJESA E POLICIT “ERMAL”
Albert Veliu, që u prezantua nga Partia Demokratike si dëshmitari X, ka gënjyer dhe për sa i përket faktit se ka takuar një efektiv policie në Vlorë, me emrin “Ermal”, të cilin sipas audio-përgjimit, ai pretendohet se Agron Xhafaj ja këshillon që të shkojë ta takojë, në mënyrë që ai ta ndihmonte për të trafikuar drogë. Mësohet se për arsye përfitimi monetar Albert Veliu, jo vetëm që ka iskenuar audio-përgjimin dhe ka shpikur një bashkëbisedues duke e joshur për të aktruar Agron Xhafaj, por ky dëshmitar i PD ka gënjyer edhe për sa i përket emrit “Ermal”, duke thënë se është punonjës policie dhe mik i Agron allias Geron Xhafaj.
Në këtë çështje nuk ka ekzistuar asnjë efektiv policie që të ketë bashkëpunuar me Babalen, për më tepër që edhe nga verifikimet e tabulateve të telefonit të katër policëve me emrin “Ermal” në Vlorë, ka rezultuar se nuk kanë pasur telefonata qoftë me Agron Xhafaj por edhe me Babalen gjatë muajit tetor 2017, kur është bërë përgjimi dhe në vijim. Gjatë këtyre dy muajve hetime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë evidentuar dhe marrë në pyetje katër efektivët e policisë së qarkut Vlorë, që mbajnë emrin “Ermal”. Bëhet fjalë për policë që janë në organikën e komisariatit të Vlorës, Sarandës dhe një tjetër është në Drejtorinë Qëndrore.
Të katër këta efektivë janë marë në pyetje nga anëtarët e grupit hetimor, duke pohuar se nuk kanë njohje dhe miqësi me Albert Veliun por edhe me Agron Xhafaj, vllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Por pavarësisht dëshmive të katër policëve me emrin “Ermal”, prokuroria ka verifikuar me imtësi të gjitha tabulatet mujore të këtyre efektivëve, për të mësuar nëse ndonjëri prej tyre ka pasur biseduar ndonjëherë nga muaji Tetor 2017 e në vijim me Albert Veliun (Babalen) apo me Agron Xhafaj.
Nga kjo procedurë nuk ka dalë asnjë element i dobishëm. Madje tabulatet telefonike,i janë verifikuar dhe Babales, për të mësuar nëse kishte folur me ndonjërin prej këtyre policëve, por nuk ka rezultur që ai të ketë biseduar në telefon.