Këshilli i Lartë i Prokurorisë po kryen një punë intensive për verifikimin e kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Thuajse në çdo mbledhje të KLP, diskutohet për ecurinë e punës së ngritjes së Prokurorisë së Posaçme. Në mbledhjen e fundit të Këshillit, anëtarët votuan për dosjet e 10 prokurorëve që ishin përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Karrierës dhe Etikës Profesionale.
Mes 10 emrave, gjashtë ishin prokurorë që kanë kandiduar për SPAK. Më konkretisht, KLP kishte përmbyllur me sukses dosjet për Manjola Kajanin, Ened Nakuçin, Eugen Beçin, Doloreza Musabelliun, Elisabeta Imerajn dhe Vladimir Marën. Këto dosje, pas votimit në KLP, iu dërguan Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me qëllim rivlerësimin sa më parë të tyre. Por gazeta zbardhi procesverbalin e mbledhjes së fundit të KLP, nga ku mësohen disa detaje interesante nga verifikimet që bëhen për kandidatët e SPAK.
Në këtë mbledhje është diskutuar për 10 dosjet e hartuara nga Komisioni për Vlerësimin e Karrierës, ku nuk mohohet që prokurorëve që kanë kaluar në sitë u janë gjetur probleme me aftësitë profesionale. Diçka e tillë pohohet nga anëtari i KLP, Alfred Balla. “Është mbledhja e dytë që ne kemi sjellë projekt-raporte për të votuar. Sot sjellim raporte për 10 prokurorë që i nënshtrohen procesit të vetingut. Ka disa mangësi në punën e prokurorëve dhe përgatitjen e tyre: mënyrën sesi argumentojnë elementët e veprës penale, mënyra sesi hartojnë vendimet, si njoftojnë palët në proces, etj.
Po punojmë intensivisht që t’u përgjigjemi ritmeve të vetingut. Në përgjithësi janë për tu përgëzuar për punën voluminoze që kanë bërë 10 subjektet, ka edhe ndonjë gjetje që nuk cenon dukshëm anën profesionale të prokurorëve”, tha Balla. Ai shtoi më tej se këto raporte do i shërbejnë punës së KPK për verifikimin e kandidatëve të SPAK sepse dosjet janë shumë të hollësishme, afro 50 faqe për secilin emër.
Në shtesë të tij, anëtari tjetër i KLP, Kostaq Beluri sqaroi se për të hartuar 10 dosjet e mësipërme, pjesë e së cilës janë edhe garuesit për SPAK, janë kërkuar informacione nga Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve. “Ne kemi bërë verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në prokuroritë e rretheve për çdo subjekt lidhur me ankimet ose procedimet penale dhe është analizuar çdo e dhënë që është përfituar.
Raporti përmban edhe këto të dhëna”, deklaroi Beluri. Vlen të theksohet se për KLP ka një afat se kur duhet të mbyllë procesin e hartimit të dosjeve për kandidatët e SPAK. Komisioni i Posaçëm ka në dispozicion 6 javë kohë, deri në 15 maj për të bërë vlerësimin e 25 garuesve.
Anëtarët e KLP me certifikatë sigurie
Një detaj tjetër mjaft interesant që gazeta ka arritur të zbulojë nga mbledhja e KLP është fakti se anëtarët e Këshillit kanë aplikuar për t’u pajisur me certifikatë sigurie. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi u shpreh në mbledhje se një pjesë e administratës dhe e KLP po pret përgjigjen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për të marrë certifikatë sigurie me qëllim administrimin e informacioneve sekrete.
“Jemi në fazën e fundit të procedurave që do ta mundësonin Këshillin për të trajtuar informacion të klasifikuar. KLP s’e ka mbyllur ciklin e verifikimeve që ia imponon ligji. KLP duhet të marrë informacione nga organet e inteligjencës. Ne nuk i plotësojmë kushtet për tu verifikuar nga DSIK për trajtimin e informacioneve të klasifikuara. 5 anëtarë të KLP dhe një pjesë e administratës kanë çuar kërkesa për tu certifikuar pranë DSIK dhe presim që të verifikohen brenda 2 javës. Në këtë moment do të jemi në gjendje të marrim informacione nga shërbimet e inteligjencës”, tha Genti Ibrahimi. /Mimoza Ibra