Ilir Meta duket se ka zhvilluar një luftë të fortë për të siguruar mbështetje në Gjykatën Kushtetuese në prag të shkarkimit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mbylli procesin e kandidaturave për vendin e Fatmir Hoxhës dhe dërgoi në Gjykatën e Lartë 4 emra, ku i pari u rendit Alket Jaupi me 87,67 pikë. Por edhe pse mes emrave ka disa figura të njohura dhe juristë të zotët, i pari që i shkon Gjykatës së Lartë është Jaupi, ndërsa pas tij vijnë Sandër Beci, Ervin Karamuço dhe Albert Demirneli.
Sipas burimeve, presidenti ka bërë një luftë të fortë që në Kushtetuese të shkojë një besnik i tij, pasi më 18 janar diskutohet shkarkimi nga detyra. Në fakt Meta duket se ja ka dalë të ketë sukses, pasi në të vërtetë emri i renditur i pari është vartës i Avokates së Popullit, Erinda Ballaca, e cila ka dalë hapur në mbështetje të presidentit. Jaupi punon në Avokatin e Popullit dhe jo në pak raste ka dalë në media për çështje kundër qeverisë.
Marsida Xhaferllari ka qenë një ndër personat për të cilët Meta bëri luftë të fortë, madje dhe rrezikoi shkarkimin. Xhaferllari është anëtare e KED dhe bashkë me lobimet e Avokates së Popullit, e cila po ashtu është si përfaqësuese në KED, duket se kanë bërë që Jaupi të renditet i pari.
Por ka dy elemente në këtë mes. Së pari, mbetet të shihet si do veprojë Gjykata e Lartë. Nëse kjo e fundit nuk shprehet brenda 30 ditëve, atëherë Jaupi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Momentalisht Gjykata e Lartë ka vetëm 9 anëtarë dhe nuk ka numrat e parashikuar në ligj që të votojë emrat. Por KLGJ ka kualifikuar një emër dhe nëse mbyllet brenda muajit emërimi tij, kemi 10 emra dhe Gjykata e Lartë mund edhe të zgjedhë vendin e dytë apo të tretë.
Së dyti, mbetet të shihet dhe roli i amerikanëve në këtë mes, nëse do të lejojnë që presidenti të prishë balancat në Kushtetuese apo do ndërhyhet që të kemi një emër të pavarur.
Bllokimi i vakancës për Tushën
Një tjetër zhvillim i dyshimtë në KED ishte ai i bllokimit të vakancën për Vitore Tushën. Kjo e fundit ka disa vite që rri pa mandat në detyrë dhe sipas ligjit ajo duhet të zëvendësohet nga Gjykata e Lartë. KED pak ditë më parë vendosi që të pezullojë vendin e saj, pasi nuk ka 3 kandidatë, por vetëm dy.
Në lojë hyri edhe kandidatja Zhaklina Peto, e cila mund të rihapte garën, por u dorëhoq në mënyrë të beftë. “Në fazën e shqyrtimit të kandidaturës në fjalë, këshilli u njoh dhe mori në shqyrtim edhe një kërkesë të kandidates për t’u dorëhequr nga kandidimet respektive.
Në vijim të kësaj, KED vendosi përfundimin e procesit të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatës Zhaklina Peto. Në këtë moment, duke qene se KED vendosi përfundimin e procesit të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatës, për dy vendet vakante që i takojnë Z. Fatmir Hoxha dhe Znj. Vitore Tusha, këshilli konstatoi se numri i kandidaturave për vendin vakant të Znj. Vitore Tusha ka rënë nën tre.
Nisur nga ky fakt, u vendos pezullimi i vijimit të procedurave për këtë vend vakant dhe njoftimi i organit të emërtesës, lidhur me situatën”, njoftoi KED pak ditë më parë.