Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi duket se do të jetë kandidati i përbashkët i opozitës së udhëhequr nga binomi “Foltore”-Partia e Lirisë për Bashkinë e Tiranës, cili pritet të marrë “bekimin” e primareve, sa i takon zgjedhjeve vendore të 2023. Ditët e fundit të shumtë janë emrat që lakohen në korridoret e politikës dhe kafeneve të kryeqytetit, veçanërisht nga radhët e “Foltores”, të cilët pritet, kanë shfaqur ambicien apo janë propozuar si kandidatët që mund të rivalizojnë kreun aktualë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn vitin tjetër.
Dy prej emrave më të lakuar janë ish-deputeti Gert Bogdani dhe mjeku Ilir Alimehmeti, të cilët janë “djegur” nga Berisha, për shkak se burime nga grupimi i Rithemelimit i pohuan gazetës “SOT”, se ish-presidenti Ilir Metaj i ka vënë kusht Sali Berishës emrin e Belind Këlliçit si kandidatë për Bashkinë e Tiranës, për të cilin ish-kryeministri ka pranuar pa kushte, pasi në momentin që flasim është shumë i varur nga Partia e Lirisë. Vetë deputeti Këlliçi nxitoi dje dhe e bëri publike se ka ambicie për të qenë kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Zbardhen kulisat
Por përpara se ai të arrinte në këtë vendim, mësohet se ka pasur shumë zhvillime të forta në prapavijë, çka kanë ndikuar që Berisha dhe Meta të gjejnë emëruesin përbashkët, të paktën për momentin, nëse në ditët në vijim nuk do të kemi surpriza. Gazeta e ka deklaruar që Belind Këlliçi është i përkëdheluri dhe njeriu besnik i ish-presidentit Ilir Meta, ndërkohë që sot po sjell detaje dhe fatkeq ë pohojnë këtë raport mes tyre.
Kur Ilir Meta ishte President dhe ai deputet, në oborrin e selisë blu po protestohej brenda llojit. Ai kundër Bashës e Meta në cepin tjetër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “I kërkoj falje Z.Belind Këlliçi, po nxjerr bisedat. Pashë makinat atje në oborr dhe mora në telefon Belind Këlliçin. Ai s`ma hapi telefonin. Më shkruajti më vonë: Zoti President, isha në një takim me të rinjtë. I thashë, mos prekni asnjë makinë se do merret për provokim. Po, po më thotë, – s`bëhet fjalë”.
Për shumë kënd që nuk e pëlqente Presidencën e Ilir Metës, shkëmbimi i mesazheve në protestën e 8 janarit të këtij viti u pa si ndërhyrje e pastër e Metës në politikë. E parë sot, ajo merr një kuptim tjetër. Një ditë para marrëveshjes zyrtare “Foltore” Partia e Lirisë, Ilir Meta shkoi në zyrën e Berishës për t’i thënë se ai ka pajtohet me primaret e doktorit. Pas largimit nga selia blu, Meta më vonë theksoi gjatë një konference për mediat se PL nuk kishte një emër nga të vetët për Tiranën, ndërsa nuk tha nëse ai kishte një emër preferencial nga të PD-së. Mirëpo Meta deri diku e lëshoi shashkën se ai i kishte propozuar Berishës një emër për Tiranën “një super politikan”, por e spërdrodhi idenë se ishte për kreun e “Kuvendit” të Bashkisë. Thënë shkoqur për një burokrat që do të drejtonte Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Afrimiteti Meta-Këlliçi
Po a mund të lakmojë kaq Ilir Meta nisur nga ambiciet e tij politike e për më tepër Tiranën, aty ku ai do të diktojë gjithë betejën politike ndaj Veliajt për shumë arsye që lidhen me vete atë? Jo. Burime nga PD-ja thonë se Meta e ka një emër të parapëlqyer, për më shumë se aq, (vetë Tiranën): Belind Këlliçin. Një person marrëdhëniet me të cilin në gjithë harkun kohor një vjeçar kanë qenë të paqta në mos ndërmjetësi i mesazheve politike tek PD-ja kur Meta i shihte nga zyra e Presidencës.
“E përgëzoj kandidatin Belind Këlliçi për kapjen në flagrancë të ’rilindasve’ të Vaqarrit, me ushqime dhe zarfa elektorale”, shkruante Ilir Meta në fushatën e zgjedhjeve të 2021-it. Ndërkohë edhe Këlliçi gjithashtu nuk mbeti pas. Në muajin korrik, pak para se të linte zyrën e Presidentit, Këlliçi tha se Ilir Meta ishte një politikan “race” një “aset” në politike dhe se ishte i mirëpritur të zbriste në ring bashkë me Berishën kundër Ramës. Me po aq siguri ai foli edhe kur u pyet nga media nëse Ilir Meta do t’i bashkohej protestës së fundit të thirrur nga Partia Demokratike.
Belind Këlliçi ishte i qartë për vendimet e Ilir Metës edhe kur foli mbrëmjen e fillim tetorit se pakti me Partinë e Lirisë ishte arritur. Atëherë kur pak kush dinte gjë. Meta do të synonte këshillat bashkiak dhe PD-ja kryebashkiakët. Ai që nuk e ka thënë fjalën është Sali Berisha i gjendur në presionin e një kandidati me profil politik dhe një tjetri jashtë saj siç po vërehet në rastin e Ilir Alimehmetit i mbështetur nga sondazhet, por jo nga lidershipi i partisë. Është ai që i vë vulën, sigurisht nën pretekstin e “primareve”, në emër të së cilës po flasin të gjithë, ani pse në korridore gëlojnë me emra preferencialë.
Meta të paktën e lëshoi ’asin’ e vet Belind Këlliçi dhe Berisha tashmë nuk ka nga t’ia mbajë dhe pritet ta pranojë, ndërkohë që dy kandidimi i Gert Bogdanit dhe Ilir Alimehmetit si rivalë direkt të Erion Veliajt, tashmë mbetet thjeshtë “një ëndërr në sirtar” i personave që i sponsorizuan apo edhe madje atyre vetë si individë, që kishin shfaqur ambicien për të qenë të parët e kryeqytetit. Pra, thënë troç Belind Këlliçi është “pyka” e Ilir Metës në opozitë dhe njeriu “urë” mes kryefoltoristit Berisha dhe spiunit Ilir Metaj. /Rigels Seliman