Të dhënat e 700 mijë shqiptarëve, përfshirë këtu vendet e punës dhe nivelet e pagave para se të përfundonin në publik mund të kenë përfunduar në duart e rusëve përmes një kompanie me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri, që zotërohet nga një biznesmen i njohur rus.
Burime pohojnë se nga hetimet e deritanishme dyshohet se veç shitjes në tregun e zi dhe përdorimit të këtyre të dhënave për ngritjen e skemave manipuluese të kreditimit, dosja dhe materialet ka dyshime se kanë kaluar në duart e një rrjeti kompanish që zyrtarisht operojnë në fushën financiare dhe me fije të forta lidhëse me biznesmenë rusë.
Sipas burimeve, materialet që Endri Ikonomi i blinte nga Klodian Sota për 20 mijë deri në 30 mijë lek dyshohet se i janë vënë në shërbim kompanisë “Credit 2 All”, e themeluar në Shqipëri më 22 mars të 2017 me objekt ofrimin e shërbimit për ndërtimin e produkteve të ndryshme elektronike për institucionet financiare në vend. Nga të dhënat në QKR, kompania raporton një kapital prej 40 milionë lekësh, një shifër disafish më e lartë në raport me kompani të ngjashme që ofrojnë të njëjtat shërbime në Shqipëri.
Administratori i kompanisë, prej datës 1 tetor 2021 rezulton shtetasi Vlado Cvetkosvski, ndërsa pronari Oleg Boiko. Në ekstraktin historik të kësaj kompanie rezulton se Endri Ikonomi ka mbajtur postin e administratorit nga data 9 maj e 2018-s deri në 1 tetor 2021, kur ka dhënë dorëheqjen.
Kjo do të thotë se gjatë periudhës që prokuroria thotë se Endri Ikonomi ka siguruar të dhënat e 700 mijë qytetarëve shqiptarë nga Klodian Sota, ai ka qenë administrator i kompanisë Credit 2 All, që sipas të dhënave të dorëzuara vullnetarisht në QKR është e njëjta kompani me emrin “Digital Finance International Shpk”.
Në 2017-n, kompania është themeluar me një kapital themeltar prej 15 milionë lekësh në Shqipëri si degë e kompanisë “Piressa Holdings Limited”, e regjistruar në Qipro, vend i njohur si parajsë fiskale, me numër identifikimi HE200063. Në maj të 2018-s, kjo kompani vendos t’i shesë 100 për qind të aksioneve të kompanisë së hapur në Shqipëri te biznesmeni rus me emrin Oleg Viktorovich Boiko. Për “Piressa Holdings Limited” shitja është firmosur nga Sylvana Iasonos, e cila ka mbajtur deri në 7 shkurt të 2020 postin e administratores në këtë kompani.
Oleg Viktorovich Boiko është biznesmen rus i lindur më 28 shtator të 1964-s në Moskë, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 1.3 miliard dollarë. Ai është themelues i kompanisë “Finstar Financial Group” dhe mban gjithashtu edhe pasaportën italiane.
Biznesmeni 57-vjeçar është në listën e personave që shërbimet inteligjente amerikane e konsiderojnë me lidhje shqetësuese me qeverinë, inteligjencën dhe shërbimet sekrete të Rusisë, si dhe me lidhje me krimin e organizuar. Këto shqetësime dalin në një raport që është dorëzuar në Senat, ku u referohet edhe disa artikujve të mediave moldave që akuzojnë biznesmenin rus se me financimin e Kremlinit është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në Moldavi.
Dyshimet për një aktivitet të ngjashëm shqetësues të biznesmenit rus në Shqipëri shtohen edhe në transaksionin e bërë në vendin tonë, pasi kompania qipriote “Piressa Holdings Limited” i ka shitur biznesmenit rus “Credit 2 All” për vetëm 100 euro, pavarësisht se kapitali i themelimit është 15 milionë lek. Transferta është bërë përmes një banke në Riga të Letonisë.
Me të marrë në zotërim kompaninë shqiptare, biznesmeni rus Oleg Viktorovich Boiko ka rritur kapitalin nga 15 milionë lek në 40 milionë lek dhe ka rikonfirmuar në detyrën e administratorit Endri Ikonomin, i arrestuar nga Prokuroria e Tiranës si i akuzuar për marrjen dhe publikimin e të dhënave të 700 mijë shqiptarëve.
Në gusht të 2021, Endri Ikonomi dorëzon dorëheqjen nga detyra si administrator i kompanisë. Kërkesa miratohet dhe ai e mbyll detyrën më 30 shtator 2021. Nga 1 tetori si administrator i kompanisë Credit 2 All është emëruar shtetasi maqedonas, Vlado Cvetkovski, që është menaxher për Ballkanin e bizneseve të rusit Boiko. (Mentor Kasa, gazeta SI)