Reforma zgjedhore bëri bashkë të dyja kampet politike në vend, edhe pse aktualiteti ishte i mbushur plot me denoncime, akuza dhe sulme. Përtej këtyre, PD dhe PS nuk lejuan që ecuria e reformës zgjedhore të prekej nga “skandalet” politike dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe janë zhvilluar shumë mbledhje e janë bërë plot diskutime. Pjesa më e madhe e këtyre mbledhjeve janë zhvilluar pa praninë e medias dhe publikut, ndërsa gazeta “SOT” ka arritur të sigurojë procesverbalin e njërës prej tyre. Në krye të diskutimit të kësaj tryeze ka qenë financimi i partive politike dhe shpenzimet në fushatë. Në këtë mbledhje ka qenë i ftuar edhe eksperti i KE, Quentin Reed, i cili ka bërë propozimet e tij për ndryshimet ligjore në lidhje me temat e lartpërmendura dhe ka zbardhur disa detaje sesi do të jetë reforma zgjedhore. Theksi kryesor është ndalur tek ndalimi i financimeve private. Sipas ekspertit, nuk duhet që një donator privat t’i dhurojë një partie politike diçka gjatë fushatës me qëllim që më pas të përfitojë. “Çështja e dytë i përket ndalimit të dhuruesve të palejuar dhe ndalimit të kontratave shtetërore, Në ligj mungon rregullimi i situatës kur një donator i dhuron një partie dhe më pas merr përfitimet pas zgjedhjeve. Pra, këtu bëjmë një përmbysje të dispozitës duke shtuar një pikë ku thuhet se entet që i dhurojnë një partie politike nuk mund të marrin kontrata publike, koncesione ose fonde me vlerë totale që tejkalon 10 milion lekë (përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik, më disa vende këta përdoreshin për t’iu shmangur sistemit) për 3 vjet pas dhurimit”, tha Quentin Reed.
Kufizimi i shpenzimeve në fushatë
Një tjetër pikë mjaft interesante e diskutuar gjatë mbledhjes në fjalë është edhe kufizimi i shpenzimeve në fushatë zgjedhore. Sipas ekspertit të KE, këto shpenzime nuk duhet të jenë 10 herë më të larta se shuma e përfituar nga subvencionet shtetërore. “Aktualisht ka një kufi për shpenzimet e fushatës të cilat janë 10 herë më të larta se shuma e përfituar nga subvencioni shtetërore. Ky kufi është jorelevant pasi shumë i lartë dhe ka një sugjerim këtu që të reduktohet në dy dhe jo 10 herë. Të ndryshohet Neni 90.3 si vijon: “Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore”, u shpreh ai.
Partitë e vogla
Reforma zgjedhore pritet që të “shfarosë” partitë e vogla. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe eksperti Quentin Reed në mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore të zhvilluar pak kohë më parë me dyer të mbyllura. Ai është shprehur se ka shumë parti të vogla të krijuara vetëm për të marrë fonde nga shteti. Sipas tij, një gjë e tillë nuk duhet të funksionojë më në këtë mënyrë. “Problemi i subjekteve zgjedhore jorelevante që formohen vetëm për të marrë subvencione shtetërore duhet të adresohet përmes ndryshimit të Nenit 87/2 me sipër dhe ndryshimeve në Ligjin për Partitë Politike, i cili lehtëson çregjistrimin e partive që nuk janë aktive. Opsioni i dytë që parashikohet me ndryshimin e Nenit 87/2 mund të përdoret nëse gjykohet se shpërndarja aktuale e subvencioneve avantazhon në mënyrë të padrejtë partitë e krijuara, siç mendojnë në fakt shumë vetë se ndodh, pavarësisht rreziqeve të përftimit të subvencioneve shtetërore nga subjekte zgjedhore jorelevante. Sugjeroj dy gjëra: që subvencionet të alokohen në fillim të fushatës, jo i gjithë fondi tu jepet, por dy të tretat, një e treta e mbetur tu shpërndahet pas zgjedhjeve duke marrë parasysh rezultatin. Duhet të jetë e qartë që partitë politike mos të marrin fonde kur nuk kanë asnjë votë”, tha ai./Mimoza IBRA