Analisti i njohur, Frrok Çup ka komentuar konfliktin e fundit mes Izraelit dhe terroristëve të Hamasit në Gaza, teksa ka hequr një paralele me atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 30 e kusur vite demokraci.
Përmes një analize të hollë të publikuar dje në rrjetet sociale, zoti Çupi shigjeton ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai e cilëson “Foltoren” e Berishës si kopje të “Hamasit” dhe zbulon se militantët e “non-gratës” u urdhëruan që të vrisni kundërshtarët në selinë blu gjatë dhunë së 8 janar 2022, kohë kur ish-kryeministri pushtoi godinën e Partisë Demorkatike. Më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron reagimin e plotë të zotit Çupi.
Ja reagimi i plotë i analistit Frrok Çupi
Konflikti mes Izraelit dhe Gazës
Luftërat duket se janë krijuar si Circe e Homerit për t’i treguar fatin njeriut. Circe i ktheu njerëzit në derra, lufta në numra. Vetë lufta, edhe kjo e fundit mes Izraelit dhe Gazës, nuk sjell një gjë që nuk ekziston; por vetëm e nxjerr në pah atë çfarë ndodhet ‘nën detin e luftës: Numra, numra, numra…
Izraeli ndodhet para realitetit të kthimit të numrave në të kundërtën. Në vitin 1933 në Europë kishte 9.2 milionë hebrenj, aq sa sot banojnë në Izrael. Në vitin 1945, në mbarim të Luftës së Dytë, mbetën vetëm 3 milionë, aq sa sot ka banorë Gaza. Loja me numrat është tragjike, sidomos kur në këtë mes ndodhet njeriu. Dje u dha lajmi se 1.1 milionë civilë gazanë duhet të largohen nga vendi i tyre sepse do të fillojë sulmi ushtarak. Dy ditë më parë u hap lajmi se raporti i të vrarëve, mes palëve, ndryshoi:
Numri në Izrael është 1200, ndërsa numri në Gaza ka arritur në 1300. Një ditë më parë ishte ndryshe, numri ishte ‘në favor’ të Izraelit. Dhe dy ditë më parë, në një ‘favor’ akoma më të thellë. A nuk të duket se ndodhesh në një qendër votimi për pushtetin e ri, ku numërohen votat ‘pro’ dhe votat ‘kundër’?. Aty thërrasin militantët politik me ‘urra!’ se jemi ‘1300 përpara’, dhe ‘100 diferencë’.
Ne të gjithë jemi përdorur si numra në votimet e kryera, edhe këtu në Shqipëri, në Serbi, në Montenegro, në Shkup… Edhe përtej Adriatikut, që nga Italia. Edhe vetë Amerika numëroi të vrarët dhe pengjet amerikanë. Në familjet izraelite, gjithashtu edhe të civilëve në Gaza, po i numërojnë pjesëtarë e familjes, sa mungojnë. Qysh në kampet e përqendrimit Nazist, njeriu ishte vetëm numër. Veçse sot në Europë, fenomeni i ‘numrit’ ndalon këtu: te vota.
Situata në Shqipëri
Ne në Shqipëri, për shembull, nuk e kemi ndaluar dot me kaq; numrin e votuesve ‘kundër’ thuajse e kemi barazuar me numrin e viktimave. Këtu ka ndodhur ajo që nuk ka ndodhur më kurrë në botën e qytetërua, pas vitit 1990, kur u ndamë nga shoqëria totalitare që i konsideron njerëzit numra. Këtu shteti vazhdoi të ekzekutojë me vdekje masive qytetarët e vet, deri në sulmin mizor për vrasjen e kundërshtarëve në selinë e PD, janar 2022.
Sot e kësaj dite zien ‘lufta civile’ po në atë parti; njëra palë kërcënon tjetrën se ‘unë kam numra më shumë..’. Në kufirin Kosovë- Serbi numërohen të vrarët për të dëshmuar forcën e qeverive. Njeriu i kthyer në numër të çon domosdo në terror. Na del se ‘Gaza’ është kudo mes nesh. Kudo ku ka militantë të verbër, aty ke rrezikun e modelit të Hamasit. Çdo militant i verbër është një kandidat për terrorist. Shoqëria jonë, te sulmi mizor i Hamasit, shikon pasqyrën e saj. Nëse vini re, të gjithë janë numra dhe të numërueshëm; vetëm terroristët nuk kanë numra. A i mbron njeri terroristët aq shumë sa ua fsheh si fytyrën edhe numrin?
Nuk mund ta besosh, por as të mos e besosh. Po të jetë e vërtetë sado pak, atëherë jo vetëm ‘Rripi i Gazës’, por gjithë bota po shkon drejt mbytjes. Veçse derisa terroristët të shfaqen me numër dhe me fytyrë, deri atëherë jemi të rrezikuar kudo. Kjo mizori që po ndodh në Lindjen e Mesme, nuk e di si do të ‘përkthehet’ këtu mes nesh… Kjo luftë a do t’u japë guxim terroristëve tanë, apo do t’i ulë në gjunjë?… Apo do t’i vërë në gjumë? Të paktën të kishin nga një numër në ‘pizhame’, atëherë mund ta bënim gjumin të qetë.