Ditët e fundit në media është zbuluar blerja e fabrikës së Shkëlzen Berishës, pranë fshatit Gërdec, me vlerë 1.8 milionë euro. Ai e përdor këtë fabrikë për të paketuar boronicat që i mbledh në Tropojë dhe më pas i eksporton jashtë Shqipërisë.
Hapja e fabrikës së Boronicave në Gërdec nga Shkëlzen Berisha duket si një provokim për dhimbjen e familjarëve të viktimave të këtij fshati.
Në emisionin Top Story në Top Channel, transmetuar në mars të vitit 2019, e ëma e Erison Durdës deklaroi se nuk do t’i falë gjakun e djalit, që vdiq nga shpërthimet e një fabrike predhash, ku ishin te përfshirë edhe njerëz të Sali Berishës.
“Zotit ia fal, por robit jo. Atyre që ma bënë nuk ua fal kurrë jetën e atij. Një fëmijë i lindur në vitin 2000 të vdesë nga baruti e predha, që nuk i di çfarë janë? S’i kam borxh askujt, veçse më kanë jetën e gjakun e atij fëmije. Për të nuk do të rresht asnjë sekondë, sa të kem jetën time, do të kërkoj drejtësi, do t’i lëviz të gjithë gurët e kësaj bote.
Kryetari i opozitës e çoi pallatin pas meje, (në Strasburg) Delijorgji i ka bërë ankimimet pas meje dhe mori dëmshpërblim, pse i kaluan afatet e paraburgimit, ka marrë dëmshpërlbim për Gërdecin, kupton se ku jetojmë? Gërdeci nga institucionet nuk u hetua si vepër korruptive, se ndodhi nga babëzia për parà dhe askush nuk ka hetuar”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj.Sot reagoi edhe djali tjetër i Zamirës, Geraldo Durda, i cili akuzoi Shkëlzen Berishën si autorin e krimit të Gërdecit, që po bën biznes pikërisht në vendin e krimit.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai ngriti pyetjen se kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë ndërsa thotë se deri më tani askush nuk ka marrë mundimin ta pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e Shkëlzen Berishës dhe se kush i sponsorizon udhëtimet e tij.