Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka bërë bashkë në rezidencën e saj aktorët kryesorë të politikës në vendin tonë.
Teksa na ndajnë vetëm dy ditë nga dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kim ka bërë bashkë kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, kreun demokrat Lulzim Basha dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Kokat e politikës shqiptare ishin të shoqëruar nga zonjat e tyre.
Ndryshe nga sa është festuar çdo vit, kësaj herë, “e zonja e shtëpisë” ka vendosur që të përshtatet edhe me kushtet e reja të pandemisë së koronavirusit. Nëse vitet e tjera nuk kanë munguar gazetarët apo dhe aktivistët, kësaj herë darka është vetëm për krerët kryesorë të institucioneve në vend, dhe liderin e opozitës. Sipas burimeve të gazetës, ambasada e SHBA zhvilloi një event të vogël në mjedis të hapur, për të respektuar kufizimet fizike me rastin e festës së pavarësisë.
Ky takim vjen në një moment kur ambasadorja amerikane ka qenë shumë e ashpër në deklaratat e saj sa i takon reformës në drejtësi. Përmes një editoriali pak ditë më parë, Yuri Kim deklaroi se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, duke shtuar se armiqtë janë hedhur në sulm. Kim bëri thirrje që askush të mos tërhiqet nga reforma në drejtësi. “Reforma në drejtësi është në një fazë kritike.
Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarësinë. Prandaj, ata që kanë frikë nga reforma në drejtësi janë në sulm.
Ata që e duan reformën në drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë. Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë”, u shpreh ambasadorja.