Artisti i Merituar, ylli i kinematografisë shqiptare Bujar Lako sot do të festonte 76-vjetorin e tij të lindjes.
Krijuesi i karaktereve të papërsëritshme në shumë prej filmave të kinematografisë shqiptare, lindi në Korçë, më 9 maj të vitit 1948.
Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i Gëzim Erebarës dhe “Perballimi” i Viktor Gjikës.
Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” Viktor Gjika, “Udha e shkronjave” Vladimir Prifti, “Ballë per ballë” Kujtim Çashku e Pirro Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dhimitër Anagnosti e të tjerë.
Bujar Lako ka interpretuar një numër të madh personazhesh edhe në teatër, por përtej të tjerash ai do të mbetet në kujtesën popullore si Halit Berati i “Gjeneral Gramafonit”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe pjesëmarrja në filmat “Përballimi” dhe “Në fillim të verës” do ta katapultonte në produksione më të mëdha kinemaje si “Gjeneral Gramafoni”, në rolin e Halit Beratit, “Ballë për ballë” në rolin e Mijo Bermenës, “Gurët e shtëpisë time” në rolin e Tenente Morucit dhe produksionet më të fundit ku mori pjesë ishte prodhimi i vitit 2003 “Lule të kuqe, lule të zeza”, ku luajti përkrah të tjerë emrave si Kastriot Çaushi, Vasjan Lami, Petrit Malaj, Mevlan Shanaj etj.
Në teatër ka interpretuar një sërë rolesh në vepra si “Vdekja e një komisioneri”, “Ditë vere”, “Ariu”, “Monserati” etj. Gjithashtu, edhe “Magic Eye”, ku shfaqet përkrah Timo Fllokos, Alban Ukajt dhe Arta Dobroshit. Gjatë karrierës së tij, Bujar Lako është mirëpritur gjithnjë nga publiku, por edhe kritika e cila e ka vlerësuar edhe me çmime.
I pari për të ishte në vitin 1979, ku ngriti kupën e aktorit më të mirë të festivalit të filmit për rolin e tij në filmin “Gjeneral Gramafoni” dhe në vitin 2005 do të fitonte titullin “Palma e Artë”, me filmin “Magic Eye” të Kujtim Çashkut, që përbën edhe çmimin më të madh marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A për filmin.
diTitujt që mban mbi vete janë urdhri “Naim Frashëri”, klasi i parë në vitin 1982, “Artist i merituar” në vitin 1985 dhe “Nderi i kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2013.