Kompania ajrore Wizz Air ka zgjeruar rrjetin e destinacioneve duke njoftuar hapjen e dy linjave të reja që lidhin Tiranën me dy qytete europiane si Praga dhe Krakova.
Fluturimet që do të lidhin Tiranën me Pragën dhe Krakovën do të operojnë tre herë në javë, gjatë gjithë vitit, duke përfshirë të hënën, të mërkurën dhe të premten.
Fluturimet drejt këtyre dy qyteteve u nisën më 18 dhjetor 2023, dhe u shoqëruan me një aktivitet festiv ekskluziv të zhvilluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).
Ky aktivitet i rëndësishëm shënoi përurimin e dy linjave të reja, por gjithashtu njohu një moment historik, arritjen e 7 milionë pasagjerëve që kanë fluturuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës brenda këtij viti.
“Jemi të emocionuar për zgjerimin e dy linjave të reja të Wizz Air që nisen nga Tirana, duke u ofruar pasagjerëve shqiptarë mundësinë të eksplorojnë destinacionet e reja magjepsëse në Republikën çeke dhe në Poloni. Çmimet e biletave fillojnë nga vetëm 14.99 euro, diçka që pasqyron angazhimin tonë për të siguruar lidhjen e Shqipërisë me qytetet e tjera të Europës, duke ofruar gjithashtu shërbim të cilësisë më të mirë”, u shpreh Tamara Nikiforova, Menaxhere e Marrëdhënieve të Komunikimit në Wizz Air.
Për më tepër, Drejtori i Përgjithshëm i Operimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Piervittorio Farabbi, gjithashtu u shpreh i emocionuar për arritjen e këtij momenti historik.
Wizz Air është kompania ajrore e cila kryeson momentalisht indrustrinë e aviacionit në Shqipëri, duke fluturuar drejt më shumë se 50 destinacioneve, në 16 shtete të ndryshme, midis të cilave 30 prej tyre janë destinacione unike.