Një i ri shqiptar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e 9 Majit në Siena të Italisë. Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi në një rrugicë disa metra larg sheshit kryesor të fshatit.
Viktima është një 22-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë me dije. Autori qëlloi me pistoletë drejt të riut shqiptar dhe plumbi e kapi në qafë. 22-vjeçari ndërroi jetë disa minuta më vonë.
Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë, të cilat bënë të mundur ndalimin e një personi të dyshuar si autor i vrasjes. Ai është një 34-vjeçar me origjinë nga Sardenja dhe banues në Arezzo. I dyshuari u kap disa metra larg skenës së krimit.
Sipas hetimeve paraprake, shqiptari kishte shkuar në Sinalunga për darkë në shtëpinë e disa miqve të tij. Policia thotë se 22-vjeçari doli nga banesa ku ndodhej për darkë, pasi e thërriti autori i dyshuar. Mendohet se shqiptari u nxorr në pritë nga autori duke përdorur një justifikim.
Është e paqartë nëse mes tyre ka pasur përleshje apo vrasësi e qëlloi direkt për vdekje sapo doli nga shtëpia. Këto dyshime të hetuesve ngrihen për shkak se në rrugë kishte shenja gjaku.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh. Megjithatë hetimet janë ende në zhvillim. Me rëndësi do të jetë edhe dëshmia e personit të ndaluar, që dyshohet të jetë autori i krimit.