Florian Përvathi, autori i vrasjes së fqinjit të Lek Lekgjonaj në fshatin Manati në Lezhë në 24 janar të këtij viti, mund të dënohet me 8 vite burg. Me përfundimin e hetimeve, Prokuroria e Lezhës kërkoi këtë dënim për 17-vjeçarin duke shtuar që ai të shpallet fajtor për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarak”.
Sipas prokurorit të çështjes, Përvathi vrau fqinjin 65-vjeçar për të marrë hakun e vrasjes së të atit në 2009, nga vëllai i viktimës. Lekgjonaj sapo u fut në banesë dhe i mituri e qëlloi me 4 plumba pistolete. Dy familjet kishin prej vitesh konflikte pronësie. Në 2009, në hyrje të Lezhës, Ndue Lekgjonaj ndoqi me makinë babain e Florianit, Gjon Përvathin, vëllain e Florianit, Danielin dhe kushëririn e Gjonit, Gjergjin.
Ndue ekzekutoi me kallashnikov Gjon Përvathin dhe kushëririn e tij, ndërsa djali 14-vjeç u përplas me makinë, në tentativë për të sulmuar vrasësin. Pak kohë pas ngjarjes, nëna e Florianit u vetëvra duke pirë fotoksinë. Për fatin e keq, ajo ndërroi jetë dhe 4 fëmijët mbetën jetimë. Ngjarja e rëndë e 24 janarit 2022 tregoi fajin e autoriteteve shtetërore dhe shoqërisë që shtynë të miturin Florian Përvathin drejt hakmarrjes.
Një motiv tjetër që shtyu Florianin drejt gjakmarrjes është se Ndue Lekgjonaj u dënua me 10 vite e 6 muaj burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke kryer 7 vite burg. Pasi doli i lirë, Ndue Lekgjonaj u largua nga Shqipëria.