Autoritetet italiane nuk po gjejnë dot motivin që nxiti 17-vjeçarin e cilësuar si “Anjshtanji i ri”, që të ndërmerrte krimin e trefishtë në familje, vrasjen e prindërve dhe vëllait.
Për psikologët kjo dinamikë kriminale ndodh shumë rrallë, kur faktorët psikologjoko-socialë kryqëzohen ekstremisht mes tyre. Kjo ka ndodhur edhe në masakrën ku djali i quajtur Ricardo, pas festës së ditëlindjes së babait 51-vjeçar Fabio Mulino Bianco, biznesmen ndërtimi në zonë, e vrau atë me thikë dhe më tej nënën 49-vjeçare Daniela dhe vëllanë 12-vjeçar, Lorenzo.
Në fillim i mituri e shiti si një krim të të atit dhe më tej ai, që në gjaknxehtësi e për t’i mbrojtur nënën dhe vëllanë, qëlloi mbi 51-vjeçarin. Por rreth orëve të mbrëmjes së diel, Ricardo dha versionin e ri: “I vrava unë të gjithë”, tha talenti i Matematikës për hetuesit.
Krimi i veshur nga misteri, nxënësi shembullor i kthyer në vrasës të familjes
“Nga dikush që arsimohet në shkencë, luan lojëra matematikore dhe ka një familje të tillë, si mund të presësh diçka të tillë?”, ishin reagimet e banorëve të zonës.
Misteri ndodhet ende brenda mendjes dhe trupit të nxënësit që për tre javë mbush 18-vjeç. Paraprakisht ekspertët e kanë një shpjegim sipas dinamikës. I pari është vrarë vëllai i vogël, Lorenzo 12-vjeçar, teksa flinte.
Pra ndoshta edhe xhelozia për vëllanë e vogël mund të ketë ndikuar në një dinamikë sjelljesh të mëparshme. Dhe më pas prindërit, nëna Daniela dhe babai Fabio, teksa hetuesit gjetën 51 qirinj të fikur nga festa e kthyer në mort e ditëlindjes.
Kryefamiljari njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, që zotëronte kompaninë VMF, të trashëguar nga familja e tij. Shumë nga shtëpitë e zonës me tulla dhe kopshte i kishte ndërtuar ai, ku në një prej tyre jetonte edhe vetë.
Daniela punonte në dyqanin e të brendshmeve dhe kostumeve në Cinisello Balsamo, aty pranë dhe e martuar me Fabion që nga viti 2012. Ajo ishte krenare për fëmijët e saj, madje 17-vjeçarin autor të masakrës e cilësonte “fëmija im Anjshtajn” në postimet në rrjetin social, duke hedhur edhe foto teksa luante në U-19, të një ekipi volejbolli në brendësi të Milanos.
I pyetur dje nga hetuesit nëse “matematika” mund të ketë pasur ndonjë rol në vrasjen e tij, autori vetëm tundi kokën dhe ka shtuar se:
“U ndjeva i huaj nga kjo familje. Si, nuk mund të thosha… mirë: i shtypur. Nuk mund t’ju them për sa kohë. Për një kohë. Dhe mendova se duke i hequr qafe të gjithë ata, do të shpëtoja edhe nga ky problem, kjo ndjenjë”!.