Gjykata e Posaçme pushoi këtë të martë çështjen për Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishaj, lidhur me akuzat për vrasjen e Vajdin Lames. Vendimi u dha mbasi SPAK e kishte pushuar hetimin dhe e dorëzoi me këtë kërkesë në gjykatë.
Avokati i tyre Detar Hysi deklaroi pas vendimit se gjykata kishte marrë një vendim të drejtë.
“Falënderoj gjykatën për vendimin e drejtë dhe të bazuar”,-tha ai.
Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit i hapi probleme emrave të njohur të botës se krimit, që vepronin kryesisht në Tiranë, Durres e Vlorë.
Mbrojtësit e të pandehurve pretendojnë se Reçi ka shfaqur shenja të sindromës së mitomanisë, që sipas tyre njihet si patalogjia për të gënjyer.
Sipas avokatëve, mitomanët janë të vetëdijshëm që po gënjejnë, por në momente specifike mund të arrijnë të besojnë historitë e tyre, gjë që i bën këta persona të gënjejnë për fakte e rrethana duke i servirur si të vërteta.