Kuvendi i Maqedonisë i hapi rrugë ndryshimit të emrit. Edhe pse referendumi dështoi dhe kishte shumë zëra kundër paktit me Greqinë, Shkupi arriti të bashkohej dhe tani anëtarësimi në NATO dhe BE janë më afër se kurrë. Por arritja e paktit ishte dhe një mesazh për të gjithë ata individë që punojnë kundër integrimit evropian, apo ata që kishin lidhje me Nikola Gruevskin. Nëse kthehemi pas në kohë, mediat maqedonase në prill të këtij vitit publikuan disa lajme mbi një vizitë të mistershme të presidentit shqiptar Ilir Meta në Maqedoni. Sipas tyre, ai u takua në Kërçovë me kreun e BDI, Ali Ahmeti dhe më pas në Shkup me kryetarin e BFI-së, Sulejman Rexhepi, por dhe me ish-kreun e shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkovin, i cili është kushëri i Nikola Gruevskit dhe shërbeu gjatë qeverisë së tij. Madje pati shumë analistë që deklaruan se Meta po bashkëpunonte me Gruevskin kundër Zoran Zaev.
Madje edhe për referendumin që u mbajt, pati akuza se ai ishte kundër. Ndërkohë që për të bllokuar referendumin pati dhe shumë qarqe ruse që ndërhynë në mënyrë që të bllokohej integrimi në BE i Maqedonisë. Por të gjitha këto tentativa dështuan. Fakti që opozita u detyra të miratonte ndryshimin e emrit është një mesazh i qartë i BE dhe SHBA edhe ndaj politikës shqiptare. Sot fati i integrimit në BE varet nga Ilir Meta. Brukseli nuk i toleron problemet kufitare dhe një sërë eksponentësh ndërkombëtarë kanë kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi. Pakti është në dorë të Ilir Metës dhe nëse ai nuk jep autorizimin, rrezikohet hapja e negociatave.
Lojërat e Metës
Presidenti Ilir Meta në çdo dalje të tij ka deklaruar se do i qëndrojë Kushtetutës për paktin detar me Greqinë. Madje, ai ka përmendur dhe disa vija të kuqe. Por sinjalet janë se bllokimi i paktit të detit nuk është se Presidentit i dhimbset territori shqiptar. Arsyeja është se ky pakt minon integrimin në BE. Në Ballkan është një rrjet i gjerë politikanësh që nuk e duan integrimit. Dihet që anëtarësimi në BE do i vënë në rresht të gjithë dhe nuk do ketë më tolerime. Por sinjalet janë se dhe kreu i shtetit po rreshtohet kundër integrimit. BE e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë asnjë shtet në Ballkan që të ketë probleme kufitare. Në Kosovë u hodh ideja e ndryshimit të kufijve, në mënyrë që Serbia të njohë përgjithmonë Kosovën.
Maqedonia pranoi ndryshimin e emrit, ndërsa të vetmit që kemi problem jemi ne. Pra votimi të premten në Parlamentin maqedonas nuk ishte gjë tjetër veçse një mesazh i qartë për presidentin Meta. Pakti detar është diçka që e kanë kërkuar ndërkombëtarët dhe nuk mund të vonohet. Por kjo çështje po mbahet peng për arsye të tjera. Meta po tenton t’i tregojë Ramës se dhe ai është në politikë. Dhe nga ana tjetër po i vë shkelmin integrimit. Por tashmë e gjithë vëmendja do jetë e përqendruar te ne.
Diskutimi i paktit
Ditë e fundit janë dhënë sinjale se Ilir Meta mund të anashkalohet totalisht nga pakti i detit. Emri i Maqedonisë u mbyll dhe si për ironi, dje kryeministri Aleksis Tsipras vendosi të mbajë postin e ministrit të Jashtëm në mënyrë që të çojë deri në fund paktet me Maqedoninë e Shqipërinë. Çështja e Maqedonisë u mbyll, tani ka mbetur vetëm pakti detar. Por me marrjen e detyrës nga Tsipras, niveli i diskutimeve do të kalojë në nivel kryeministrash. Pra tani pritet që të nisin negociata Rama e Tsipras. Kjo e nxjerr jashtë loje Ilir Metën dhe nuk është çudi që pakti të shkojë drejt e në Parlament.
Kliti Topalli