Politikania gjermane Ursula Von Der Leyen është konfirmuar në detyrë si presidente e Komisionit Europian, me 401 vota pro dhe 284 kundër, nga Parlamenti Europian.
Von Der Leyen u zotua para eurodeputetëve se prioritet i saj do të jetë forcimi dhe zgjerimi i bllokut, por gjithmonë bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së.
“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një detyrim moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve”, tha Von der Leyen.
Ajo theksoi se një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale.
“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë ajo.
Më tej Von der Leyen ka paralajmëruar edhe që do ta emërojë një komisionar të posaçëm për Mbrojtje dhe një tjetër për Mesdheun, pasi këto fusha, sipas saj, janë sfidë dhe prioritet për Bashkimin Evropian.