Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ndryshe nga herët e tjera sot ka qenë e pranishme në mbledhje që kryeministri Rama organizoi me gjithë kryebashkiakët e vendit.
Gjatë mbledhjes kryeministri Rama i kritikoi kryebashkiakët për menaxhimin e drejtorive të ujësjellësit.
Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje në një prononcim për mediat, Voltana Ademi iu kundërpërgjigj Ramës se në Shkodër nuk ka pasur investime dhe gjithçka që kanë bërë deri më tani është investuar nga fondi i brendshëm i bashkisë.
“Unë kam detyrën që të përgjigjem për bashkinë e Shkodrës, ne ofrojmë ujë të pijshëm 24 orë në qytet, performojmë më mirë kur bëhet fjalë për çmimin, kemi rritur ujin e matshëm në mënyrë të dukshme.
Duhet të kihet në konsideratë çdo indikator, nga viti 2016 kur e morën, në Bashkinë Shkodër nuk ka pasur investime, ne kemi investuar vetë, edhe pse duket në shifra modeste.
Ne kemi adresuar edhe pranë ministrisë nevojën për investime, për të shmangur humbjet.”, u shpreh Voltana Ademi.