Gazetari i Top Channel dhe realizuesi i ciklit “Gjurmë Shqiptare” Marin Mema është shpallur qytetar nderi i Beratit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues të klerit dhe shoqatave të ndryshme, intelektuale, artistë dhe qytetarë të thjeshtë.
“Gazetari Marin Mema është shndërruar sot në një ikonë të shqiptarisë. Vendosmëria, këmbëngulja e tij për të hedhur dritë në të shkuarën tonë, të largët dhe të afërt, është për t’i qenë mirënjohës, pasi përmes kronikave, reportazheve të tij televizive, ka ngjallur, nxitur e frymëzuar ndër shqiptarë ndjenja të forta atdhedashurie”, tha Petrit Sinaj – kryetari i Bashkisë, Berat.
Vetë realizuesi i “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel e vuri theksin tek fakti se Shqipëria është një vend me shume pasuri, por të cilat asnjëherë nuk janë përdorur në mënyrë që t’i shërbejnë të ardhmes së sigurt të njerëzve të thjeshtë.
“E them me plot gojën dhe jam i bindur në faktin që Shqipëria është absolutisht një vend i bekuar nga perëndia dhe i mallkuar nga politika, sepse me këto mundësi që ka, me këto pasuri që ka, me këto resurse që ka Shqipëria duhet të ishte shumë herë me përpara se ç’është sot”, u shpreh Marin Mema.
Ceremonia u përshëndet nga intelektualë të spikatur në qytet, e më pas gjithçka u mbyll nën atmosferën e ngrohtë të krijuar nga artistët.