Romana Vlahutin ka mbyllur debatin e hapur ditët e fundit, ku pretendohet se në Shqipëri mund të ngrihet një qendër rehabilitimit për ish-luftëtarët e ISIS.
Gjatë një takimi në Berat, ambasadorja e BE në vendin tonë ka hedhur poshtë të gjitha lajmet e publikuara në mediat se në Shqipëri do të ndërtohet një kamp i tillë.
Vlahutin deklaroi se është biseduar mbi mundësinë e ngritjes së një qendre studimore, por jo kampi refugjatësh.
“Ajo për të cilën është folur është të pasurit e një qendre studimore, por nuk ka asnjëlloj ideje për të pasur kamp”, ka thënë Vlahutin.
“Jo, është tërësisht një keqintepretim i asaj që ka thënë në atë konferencë për shtypi kryeministri bullgar. Unë kam qenë aty e pranishme dhe mund t’ua siguroj që është absolutisht një jo.
Pra, ideja është që ajo për të cilën është folur prej një kohe të gjatë është të pasurit e një qendre, e cila është një qendër studimore, ku kolegët mund të diskutojnë, të shohin fenomenin se çfarë po ndodh.
Absolutisht nuk ka asnjë lloj ideje për të pasur një kamp të tillë”, tha Vlahutin.
Në Shqipëri opozita ka akuzuar qeverinë se ka pranuar ofertën e BE-së për ndërtimin e një kamp për të larguarit e luftëtarëve të ISIS.
Vlahutin foli edhe për hapjen e negociatave, ku ka thënë se Shqipëria është pjesë e planit për hapjen e negociatave.
“Do ta shohim në datën 28 qershor ajo cfarë do vendosin vendet e BE. Di të them që Shqipëria ka punuar fort, por kjo do të varet nga vendimi i 28 vendeve anëtare.
Komisioni bëri atë që duhet të bënte, tha atë që duhet të thoshte, pra dha rekomandimin e pakushtëzuar pra ajo që është e rëndësishme është që të vazhdohet të punohet dhe më pas do të shohim çfarë do të thuhet nga vendet e BE se nuk dua ta paragjykoj këtë gjë para kohe”, tha ambasadorja e Komisionit te BE ne Tirane, Romana Vlahutin.