Kryeministri Edi Rama foli sot për projektin për shpalljen e lumit Vjosa Park Kombëtar. Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se Vjosa është egërsia e fundit lumore që nuk do hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit energjetik.
Ai theksoi se Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Megjithatë ai ironizoi kritikët që kanë hamendësuar mundësinë e ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë.
“Dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Panagonia ka atë që na duhet më shumë se çdo gjë tjetër. Është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të parkut kombëtar të një pjese të rëndësishme të vendit që duhet si e lehtë por është shumë e vështirë. Vjosa kalon mes përmes trupit të Shqipërisë. Hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër.
Të thuash park kombëtar është fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihet një popullsi e tërë që ka nevojë për zhvillim. Kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Europë bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për vetën e tyre dhe këtë e duan të egër. Ne po e bëjmë sepse po e bëjmë me bindje të plotë se kjo është e ardhmja.
Ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat që edhe njerëzit t’i egërsojmë. Po ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe ushqen gjeneratat që do ia lëmë Vjosën trashëgimi. Në një rrugë të re. Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do hyjë në cirkun kafshëve të zbutura të sistemit energjetik. Lumenjtë e tjerë janë bërë si qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji. Vjosa do prodhojë ardhmëri në një formë tjetër”, tha Rama.