Pas skandalit të publikuar në mediat e Kosovës se ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ka firmosur kontratën e furnizimit me vaksinat e kompanisë Fizer, presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar tu përgjigjet gazetarëve në lidhje me këtë çështje.
Sëbashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e kuvendit Glauk Konjufca me të cilët ndodhej për të kryer homazhe në memorialin e dëshmorëve të fshatit Makoç të Prishtinës, Osmani tha se në ditët kur kujtohen dëshmorët, nuk mund të flitet për asnjë çështje tjetër.
Ndërsa vendi ndodhet në gjendje kritike për shkak të rasteve të shumta me koronavirus, përveç ministrit të shëndetësisë Arben Vitia, i cili ka mohuar skandalin, asnjë prej zyrtarëve në krye të shtetit, nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë zhvillim.
Publikimi i dokumentit, në të cilin thuhej se qeveria Kurti ka shtyrë për në shtator nënshkrimin e kontratës me Biontech/Pfizer për sigurimin e 500 mijë vaksinave, solli menjëherë reagimin e prokurorisë, e cila kërkoi informacion nga mediat se si kishin siguruar dokumentin.
Ky veprim i prokurorisë u pa si kërcënim ndaj mediave dhe fjalës së lire ndërkohë që autoritetet sqaruan se hetimet po bëheshin ndaj zyrtarëve, dhe jo ndaj mediave.
Kosova është e fundit në rajon për sigurimin e vaksinave pas Maqedonisë së Veriut. Vendi iu nënshtrua masave shtrënguese, duke mbyllur për 12 ditë baret e restorantet, pasi u raportuan rritje të rasteve me Covid-19.