Greqia nuk është aspak gati, as në nivelin e tërmeteve dhe as në nivelin e cunamit, por ne duhet të përgatitemi për ngjarje të tilla në nivele ekstreme.
Deklarata e mësipërme është bërë nga profesori i sizmologjisë dhe anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Rrezikut Sizmik në Greqi, Gerasimo Papadopoulo
Duke folur në mediat greke mbi shpeshtimin e tërmeteve në disa rajone të Greqisë, ai tha se vendi nuk është gati, duke dashur të përçojë një mesazh ndaj shtetit dhe qytetarëve.
“Ne e dimë se tërmete të mëdha dhe ekstreme kanë ndodhur në të kaluarën dhe në një moment do të ndodhin në të ardhmen”, u shpreh ai dhe shpjegoi:
Në perëndim të Kretës, këto dukuri e ngritën ishullin nga 6.6 m. deri në 9 m, ndërsa lëvizja e menjëhershme në çarje shkaktoi një cunami që përmbyti të gjithë pellgun e Mesdheut lindor, duke sjellë si pasojë që anijet nga Aleksandria të përfundonin në çatitë e shtëpive. Ndodhi pra diçka e ngjashme me atë që pamë në Oqeanin Indian në vitin 2004, por edhe në Japoni në vitin 2011”.
Madhësia e tërmetit që ndodhi në vitin 365 pas Krishtit, ishte midis 8 dhe 8.5 Rihter dhe zoti Papadopoulos përsërit me të gjitha tonet se “duhet të përgatitemi për këtë eventualitet”.
“Dikush do të pyeste sa herë ndodhin këta tërmete. Ndodhin në intervale të rralla. Mund të jetë çdo 500 vjet, mund të jetë çdo 1000 vjet. Megjithatë, nuk e dimë se kur do të jetë tjetri dhe fakti që kanë përsëritje të rrallë nuk na çliron nga asnjë përgjegjësi pasi mund të ndodhë në një moment që nuk e presim”, thotë eksperti.
Vlen të theksohet se i njëjti fenomen u përsërit edhe në Kretën lindore në vitin 1303. “Ishte një tërmet i tmerrshëm 8 ballë Rihter me dëme të mëdha dhe u pasua nga një cunami i madh me të njëjtat rezultate”, shtoi z. Papadopoulo.
Çfarë duhet bërë
Por çfarë duhet bërë edhe nëse gjasat për një tërmet ekstrem janë të vogla? Eksperti më i njohur grek flet qartë: “Është koha të shikojmë skenarët që kemi, mënyrat se si mund të përballemi “nesër” me një fenomen ekstrem sizmik që kemi përpara. Dhe kjo është një çështje pan-evropiane, jo vetëm kombëtare greke. Ata që janë mobilizuar shumë për këtë temë janë egjiptianët të cilët çdo vit më 5 nëntor, që është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Cunamin, organizojnë një Konferencë të posaçme sepse kanë frikë nga tërmete dhe cunami të tillë.
Duhet të bëhet një përpjekje ndërkombëtare për të studiuar këto fenomene, por edhe për të parë skenarët e pasojave që do të kemi nga një tërmet kaq i madh dhe cunami që do të shkaktojë.
Lexo edhe : Tmerrohen pasagjerët në Londër, plas sherri me thikë dhe shpatë mes të rinjve (Video)
Por cilat janë çarjet tektonike në Greqi që shqetësojnë ekspertët, veçanërisht sot.
Eksperti grek thotë se ndër problematiket janë çarja në Tebë, e cila është zonë aktive me tërmete të shpeshta.
“Kur them vëmendje, dua t’ju kujtoj rastin e tërmetit të madh në Thebë më 1893 ku aktiviteti i paratërmeteve zgjati rreth një vit e gjysmë. Dhe për shkak se nuk ka rregulla absolute në dukuritë sizmike, nevojitet kjo vëmendje shumë e madhe”.
Eksperti pohon se është veçanërisht i shqetësuar për Kretën ditët e fundit. “Ka një aktivitet të vogël sizmik i cili zhvillohet në veri të Arkalochorit dhe në lindje të Heraklion. Është jashtë zonës së pastërmetit të Arkalohorit dhe nuk jam dakord me ata që thonë se është faji i Arkalohorit, që gjoja arrin në këtë zonë. Nuk them se do të shkaktojë medoemos një tërmet të fortë, por çarja e shkaktuar nga tërmeti i Arkalochorit nuk arrin atje. Mendoj se në një të ardhme të afërt do të shohim se si do të zhvillohet fenomeni. Më duhet të theksoj se Kreta është një nga rajonet më aktive të vendit sepse ndodhet në pjesën qendrore të harkut sizmik grek”.
Egjeu verilindor ka nevojë për vëmendje
Një zonë tjetër që shqetëson zotin Papadopoulos është Egjeu verilindor. “Kjo zonë kërkon patjetër vëmendje. Në periudhën e viteve ’80 dhe konkretisht në vitet 1982 dhe 1983 kemi pasur tërmete të njëpasnjëshme shumë të fortë dhe sërish në vitin 2014 me magnitudë deri në 6.9 Rihter.
Prandaj është një strukturë sizmike me një potencial sizmik shumë të lartë, sepse është vazhdimësi e Anadollit verior që vjen nga pjesa veriore e Turqisë, hyn në detin Marmara dhe kalon në detin Egje. Fakti që zonat e banuara përreth janë mjaft larg kësaj zone aktive nuk na çliron nga përgjegjësia për të monitoruar dhe vlerësuar të dhënat me shumë kujdes.
Rrezik i shtuar në Athinë
Për Athinën Papadopoulos shpreh shqetësime të veçanta pasi “këtu është një qytet i madh i cili ka rritur cenueshmërinë dhe është i ekspozuar ndaj rrezikut sizmik”.
“Popullsia e madhe, zonat me mijëra ndërtime dhe përqendrimi i madh i aktiviteteve industriale dhe ekonomike e bëjnë atë shumë vulnerabël ndaj rrezikut sizmik”, thotë profesori i sizmologjisë. Ai kujton faktin se burimi i madh sizmik në Alkyonides, i vendosur në Korintin lindor, kërcënoi dhe dëmtoi lagjet e Atikës në vitin 1981, ndaj duhet t’i bëjmë sytë katër”.