Një lajm i mirë ka ardhur nga Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura. Bëhet fjalë për shkabën ‘Kali i Qyqes’ të fundit që ishte folezuese në Shqipëri dhe që prej kohësh është në rrezik ekstrem zhdukje, por që tashmë po shtohet me numër individësh. Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe kryeministri Rama i cili njofton se nga monitorimin Luginën e Drinos sot u vërejt se kjo specie e rrallë në rrezik zhdukjeje, e quajtur Kali i Qyqes, po shtohen.
“Nga monitorimi i shkabës së fundit folezuese në Shqipëri në Luginën e Drinos, sot u vërejt se kjo specie e rrallë në rrezik zhdukjeje, e quajtur Kali i Qyqes, po shtohet në numër individësh. Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura kujdeset posaçërisht për mbrojtjen dhe ushqimin e kësaj specieje” shkruan Rama.
Kali i Qyqes (Neophron percnopterus) është ndër shkabat e mëdha në Shqipëri. Është një shpend që karakterizohet nga një ngjyrë e bardhë, pendë fluturimi të zeza dhe ngjyra e sqepit është e verdhë. Të rinjtë janë tërësisht ngjyrë kafe e errët. Bishti në formë pyke është karakteristik për këtë lloj.Ka një gjatësi prej 55-65 cm dhe gjatësia e hapjes së krahëve arrin 155-170 cm. Ushqehen me kërmat e kafshëve shtëpiake dhe atyre të egra, shpendë të tjerë dhe peshq, insekte, fruta dhe madje me jashtëqitje të gjitarëve.
Kali i Qyqes dallohet për shkak të formës së tij të veçantë, të krahëve të gjerë e bishtit të shkurtër në formë pyke. Ai llogaritet si një ndër shpendët më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra. Kali i qyqes është lloj i rrezikuar globalisht dhe gjatë 30 viteve të fundit popullsia e këtij lloji në Ballkan ka rënë me më shumë se 80%. Arsyet për këtë mund kanë të bëjnë me kërcënimet që ky lloj has, jo vetëm në territoret e folezimit në Ballkan por edhe gjatë korridoreve të shtegtimit. Nga katër llojet e shkabave të cilat folezojnë në Palearktikun Perëndimor, Kali i Qyqes është i vetmi lloj i cili shtegton rregullisht në distanca të gjata. Çdo vjeshtë, ky lloj përshkruan një distancë mbi 8,000 km drejt vendeve të dimërimit në Afrikë dhe kthehen sërish në pranverë në Ballkan.