E premtja është afati i fundit për Albin Kurtin. Deri në fund të kësaj jave Kryeministri i Kosovës do të duhet të pranojë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bërë përmes të dërguarit të posaçëm Gabriel Escobar për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës, të ulë numrin e prezencës policore në këtë zonë si dhe të ketë gati për të dorëzuar draft statutin për asociacionin e komunave serbe duke kthyer normalitetin në 4 komunat.
Në të kundërt, Tv Klan mëson nga burime diplomatike që komuniteti transatlantik ka gati sanksionet si për shtetin e Kosovës ashtu dhe për vetë Albin Kurtin dhe ministrin e tij të Brendshëm Xhelal Sveçla. Sanksionet parashikohen të jenë të ndara në dy faza.
Faza e parë, do të jetë ngrirja e fondeve nga BE, ngrirja e procesit të liberalizimit të vizave, ngrirja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ngrirja e fondeve amerikane, ngrirja e programeve për FSK-në.
Faza e dytë, qëndrimi pasiv ndaj fushatës serbe për ç’njohje, riorganizim i pranisë ushtarake ndërkombëtare, reduktim serioz i kontingjentit amerikan dhe përjashtimi i Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Nëse nga ana e Kurtit do të vazhdohet të këmbëngulet në qëndrimin aktual, komuniteti transatlantik mësohet se ndaj tij, edhe Sveçla mund të shkojë deri në masën ekstreme të shpalljes non grata nga SHBA si rrezik për sigurinë dhe paqen.
“Në rast se gjendja në terren përkeqësohet dhe çon në një rrezik serioz të sigurisë së përgjithshme, duke përfshirë rrezikimin e trupave të KFOR-it, Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla mund të shpallen non grata me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Rezervat ndaj Kurtit dhe refuzimit të tij për të dëgjuar propozimet e ardhura nga BE, i shprehu në Prishtinë pas takimeve dy ditore dhe Eskobar, i cili deklaroi përpara mediave se Uashingtoni e ka me Kryeministrin Kurti dhe jo me Kosovën.
Burimet diplomatike thanë për Klan se komunitetit transatlantik i ka mbaruar durimi dhe për këtë arsye kërkon përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, a është apo jo partner i komunitetit transatlantik, pasi të qenit partner dhe konsumator i sigurisë kombëtare që ofron dhe mban gjallë komuniteti transatlantik do të thotë edhe përmbushje pa kushte të të gjitha detyrimeve.