Plot 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH ka futur në xhep Genc Likoskendaj nga Ani Hasa, drejtuesi “buzëqumësht” i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë. Në një tender tërësisht abuziv dhe nëpërmjet një vjedhjeje spektakolare, Likoskendaj ka marrë “dhuratë” këtë thelë të madhe torte nga paratë e taksapaguesëve shqiptarë.
Bëhet fjalë për një tender që ka si objekt “Realizim punimesh, auditim dhe projekt zbatimi për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në disa qytete dhe pika kufitare”. Fondi limit i tenderit është 83,333,333 lekë të reja pa TVSH ose gati 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Ndërsa numri i referencës i kësaj procedure është REF-80532-09-19-2023. Po ku qëndron vjedhja? Nëse shikojmë dokumentat e kësaj procedure, vihet re se në garë kanë marrë pjesë vetëm 3 kompani. Nga këto, ka fituar një ndër ofertat më të larta.
Por përtej këtij fakti, njëra nga firmat pjesëmarrëse ka ofruar vlerë zero. Pra gjithçka dihej që në fillim dhe gjithçka ka qenë një farsë sa për të krijuar idenë e rreme se gjoja po bëhet një garë. Likoskendaj ka marrë pjesë në tender nëpërmjet dy kompanive të tij, “TETRA” sh.p.k dhe “C.C.S.” sh.p.k.
Ndërkaq kanë marrë pjesë si bashkëpunëtorë edhe dy firma të tjera, “R. S. & M” sh.p.k dhe “KKG PROJECT” sh.p.k. Pra të katërta këto firma kanë garuar si një entitet, pra si bashkim operatorësh. Vlen të përmendet se diferenca mes vlerës fituese të ofruar nga Likoskendaj dhe një kompanie tjetër që ofroi më pak, është gati 180 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Një diferencë kjo, e llahtarshme. Dyshimet shtohen akoma më shumë kur shikohet se vlera fituese është sa 98% e fondit limit të tenderit.