Është rikthyer nga Amerika në Tiranë Visar Zhiti, me lajme të mira për letërsinë si dëshmi e vuajtjeve të diktaturës…
“E ndjeva si detyrë, si mision, që duhej kujtuar pasi është një pjesë e historisë së shqiptarëve! Ajo jetë e rëndë, e vështirë që jetuam duhej treguar”, thotë shkrimtari Visar Zhiti.
Libri i tij më i fundit “Rrugët e ferrit: Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë” është përkthyer në italisht e diskutohet në Bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës, në një bashkëbisedim me
studiuesen Belfjore Qose, të moderuar nga Anna Lattanzi, kryeredaktore e revistës online “Albania Letteraria”.
“Ky takim është pjesë e një cikli takimesh që ne kemi organizuar me revistën online ‘Albania Letteraria’, që promovon në italisht mbi të gjitha letërsinë shqiptare”, thotë drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.
Përballë të rinjve Zhiti shpjegon arrestimin për hermetizëm në poezi, afro një dekadë burg, punën e rëndë… Ky libër u shkrua dhe për ta.
“Duhej dëshmuar në mënyrë që ta njohim të keqen dhe ajo që thuhet shpesh dhe është bërë sentencë, që po harruat të kaluarën do jemi të detyruar ta përsërisim”, shton Zhiti.
Tek ripërshkron përmes penës “Rrugët e ferrit” të Spaçit, Visar Zhiti, shkon përtej vuajtjes personale.
“Janë bashkë, të përziera… Aty ku mbaronte dhimbja ime fillonte e tjetrit. Kishim të njëjtën plagë. Ky ishte qëllimi edhe për të folur dhe për ata që s’mundën! Për të treguar për atë jetë që s’ishte jetë por një ferr njerëzor!”, shprehet më tej.
Arrestimi, peripecitë e burgut, me vdekjet, torturat, kushtet e rënda… çdo rresht i shkruar është përjetuar nga vetë autori…
“Ishte i gjithë rrëfimi, ngjarja, brenda meje…Jam munduar të jem i vërtetë, atë të vërtetë që unë njoha, nuk krijova as ngjarje dhe as personazhe . Ato ngjarje kanë ndodhur të gjitha dhe personazhet janë me emrat e tyre . Nuk m’u desh t’i krijoj! E kishte krijuar vetë jeta atë dhimbje të madhe!”, thotë me tej.
Në bashkëpunim me revistën ‘Albania Letteraria’ libri do t’u prezantohet në vijim edhe të rinjve italianë.