Aktori i njohur Viktor Zhusti ishte një prej konkurrentëve VIP në spektaklin e kërcimit “Dancing with the Stars”, që kishte finalen të premten në “Vizion Plus”.
Pas spektaklit, ai ka një mesazh emocionues.
“Sikur të ishte e mundur e pamundura, çdo natë do t’i shtrija krahët deri në fund të sallës dhe më pas, ekstremisht larg në hapësirë, për të mbështjellë ne një përqafim të ngrohtë, spektatorë e teleshikues që si gjatë mbrëmjes së spektaklit, ashtu dhe më pas në rrjetet sociale, më ishin aq pranë e dashamirës, sa ndjehem pafundësisht i detyruar ndaj tyre!
Kontratën e parë, për të marrë pjesë në DWTHS, producentja e bëri me mua, në vitin 2010, kur isha 68 vjeç!
Kontratën e dytë, këtë vit, e bëri përsëri me mua, në moshën 76 vjeç!
Nëse do mendojë edhe për ndonjë kontratë të tretë, besoj që duhet t’a rregullojë e bindë ZOTIN!
Sepse, ndjej dhe unë, prej kohësh, një dorë të zgjatur, dikush më pret “atje lart”, që, si të çlirohem nga ankthi, dhimbjet dhe acarimet, nga shpirt’ e mendje-vogëlsitë, nga gjithë graviteti i së keqes dhe interesave meskine që na mbajnë të lidhur në tokë, që na zvogëlojnë, rrudhin e përçudnojnë si “qenie materiale”, të ngjitem atje, në një botë fluide, interne, pa gravitet, ku shpirti i çliruar tërësisht, do të vërtitet i lirë midis yjeve, çmendurisht, në ciklin e pandalshëm të jetë-përjetësisë…
Ai, për mua do të jetë i treti, më i madhi, i ndritshmi, fantasmagoriku “DWTHS i vitit dy mijë e … e…
Dhe kur të ndodhë kjo, ndonjë nga njerëzit e dashur, që do më kenë mbetur akoma atje, midis jush në tokë, do të pëshpëritë i lehtësuar: “Lindi duke qarë, si të gjithë. Kaloi dhe një pjesë të jetës, duke qarë, si të gjithë. Por, iku duke vallëzuar, jo si të gjithë”, shprehet ai./Tema