Partia Demokratike vijon të ziejë nga debatet, teksa ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetës të tij janë hedhur në sulm kundër kreut të PD, Lulzim Basha.
Ky i fundit e përjashtoi në fillim të shtatorit ish-kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar demokrat, pasi siç theksoi shefi i selisë blu, Partia Demokratike nuk mund të kthehet në strehë dhe mburojë për personat e shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por ky vendim i DASH nuk po kapërdihet dot nga Berisha dhe besnikët e tij, të cilët një pjesë të fajit që ka ndikuar në vendimmarrjen e Departamentit Amerikën të Shtetit ja hedhin ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ditën e djeshme kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, i cili tashmë është rreshtuar krah Berishës, ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ambasadores Kim. Përmes një statusi në rrjetet sociale, deputeti Paloka shprehet se diplomatja amerikane po tregohet hipokrite.
“Kjo kalon çdo limit të cinizmit! Shpall Berishën “non grata” për korrupsion e për më shumë pas tetë vitesh në opozitë! Ndërkohë dekoron Dvoranin si kalorës të luftës kundër korrupsionit, i shkon në zyrë Arben Ahmetajt dhe i kërkon që të marrë në dorë flamurin e luftës kundër korrupsionit dhe e fundit kjo e Beqajt. Në inaugurimin e Beqaj si drejtor iu thua shqiptarëve se lufta kundër korrupsionit po ecën në rrugën e duhur!
E si pret pastaj të besojnë shqiptarët në drejtësinë e qëndrimeve dhe vendimeve që merr? Të paktën demokratët duhet të ftillohen e të shohin realitetin në sy. Ata që duhej të shpalleshin “non grata” e madje të ishin pas hekurave për korrupsion, në fakt po glorifikohen. E nëse dikush këtë e sheh si “mbështetje për PD” apo si dëshirë që PD ta çojnë në pushtet, ai qoftë, se në këtë rast edhe naiviteti do ishte thjeshtë justifikim”, shkruan Paloka.
Bejko akuza Berishës
Por nga ana tjetër në lojë janë hedhur edhe mbështetësit e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të cilët e kanë marrë në mbrojtje atë, ndërsa kanë shpërthyer në sulme dhe akuzua të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Njëri prej tyre është anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko, i cili gjatë një prononcimi për mediet, akuzoi ish-kryeministrin Berisha se përdor Partinë Demokratike si kalë shpëtimi. “Berisha kuptoi se çfarë donin demokratët dhe ua dha atë. Ata donin një parti demokratike që nuk u është dhënë për 30 vite. Ai u jep atyre ato që duan, ndërsa ata do t’i japin atë që Berisha do tashmë.
Në këtë moment Berisha do të marrë partinë. Çdo gjë e bën është si ajo shprehje “me jepni një kalë të shpëtoj”. Mendoj se ky sondazh tregon irracionalitet që kanë militantët. Demokratët mendonin se do të fitonin zgjedhjet, por ato u humbën ose u vodhën. Prandaj një zhgënjim të madh te demokratët dhe përgjegjësia më shumë kërkohet tek kryetari që ngriti pritshmëri”, deklaroi ai.
Më herët anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko theksoi se Berisha do të marrë PD që ta ketë si mburojë të arrestimit nga SPAK. “I duhet patjetër Berishës PD, si një bunker, që po u arrestuan ndonjë truk me SPAK do të konsiderohet si sulm politik, një arrestim politik, për t’i treguar që të mos e nxirrnin më nga politika”, nënvizoi Bejko.