Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blend Gonxhja, i ftuar në “Dita Jonë” në “A2CNN” foli në lidhje me ndryshimet e pritshme dhe risitë që pritet të ndodhin së shpejti sa i përket Kodit Rrugor.
Gonxhja u shpreh shpresëplotë që këto ndryshime do të ndodhin, pasi sipas tij janë një e mirë ndaj qytetarëve, të cilët tanimë do të marrin shërbime si qytetarë evropianë, ku do të shmangen burokracitë, pritjet në radhë dhe pagesat e panevojshme.
Sa i përket rinovimit të patentës, Gonxhja u shpreh se një nga ndryshimet që pritet të marrin miratimin e nevojshëm është fakti që ajo të bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me 10 vjet që është aktualisht, ndërsa ndryshime priten edhe për personat mbi 50 vjeç, të cilët deri më sot rinovimin e patentës e kanë bërë çdo pesë vite.
“Rinovimi është jetik se një numër shumë i madh qytetarësh, sidomos të moshuarit, stresoheshin me raporte, me vajtje – ardhje. Ne sot jemi me mbi 1.1 milion drejtues mjetesh. Kemi shumë që janë mbi 50 vjeç. Po ti bashkosh të gjitha risitë që kanë të bëjnë më rinovimin e dokumentacionit, me mosardhjen në sportelet e DPSHTRR-së, që është një pafundësi kursimi për qytetarët në kuptimin monetar, është rreth 80 mijë në vit praktika, procedurë që anulohen në rast se ne kalojmë këto amendime”, tha ai
Sipas Gonxhes, risi do të ketë edhe për drejtuesit e rinj, për fuqinë motorike të mjeteve, për personat që sapo kanë marrë një automjet në dy vitet e para të marrjes së patentës, etj.
“Aty ka edhe risi të tjera, për një kujdes më të madh për drejtuesit e rinj, për fuqinë motorike të mjeteve, sapo blen një mjet kur me patentë të sapo marrë në dy vitet e para. Ka disa ndryshime që kanë të bëjnë me veshjen në përdorimin e motoçikletave. Imagjinoni një masë e madhe njerëzish që nuk vijnë më nëpër sportele, por trajtohen si qytetarët e Bashkimit Evropian”, tha Gonxhe
Sa i përket targave të privilegjuara, Gonxhja tha se që nga momenti i aplikimit janë marrë 7 milion euro nga shitja e tyre, ndërsa bëri me dije se së shpejti në shkurt priten të hynë në fuqi targat e personalizuara, për të cilat kreu i DPSHTRR paralajmëroi se do të jenë shumë të shtrenjta.
Ai deklaroi se do të ketë një komitet censure për këto targa, ndërsa tha se do të përbëhet nga një kombinim germash dhe numrash:
“Që nga momenti i aplikimit, që mos shiteshin më targat nëpër tavolinë, kemi bërë 7 milion euro nga shitja e këtyre targave të privilegjuara. Shpresojmë në shkurt të vijmë me targat e personalizuara, sepse këtu do të ketë një komitet censure. Do ketë fjalë që nuk lejohen. Do të jetë shumë e shtrenjtë, po i paralajmëroj qytetarët. Do jetë një kombinim mes germave dhe numrave, por do të jetë edhe mundësia që drejtuesi ta zgjedhë vetë se si do ta personalizojë targën e tij nga fillimi në fund. Shpresojmë që ta vëmë në zbatim që nga shkurti.”